Showbiz
Lady Gaga ndalon gjithçka në mes të koncertit në Sydney, shkak incidenti i frikshëm
15 Dhjetor, 2025 | 10:03 am

Këngëtarja e njohur amerikane Lady Gaga u detyrua të ndërpresë përkohësisht koncertin e saj në Sydney, Australi, pas një incidenti të rrezikshëm që ndodhi në skenë, ku një nga balerinët e saj u rrëzua për shkak të kushteve të vështira atmosferike.
Koncerti u mbajt në stadiumin e hapur “Accor”, ku gjatë performancës ra një shi i rrëmbyeshëm, duke e bërë skenën jashtëzakonisht të rrëshqitshme. Artistja kishte nisur spektaklin me një repertor prej 31 këngësh, duke interpretuar disa nga hitet e saj më të njohura si “Judas”, “Poker Face” dhe “Aura”, përpara se të ndodhte incidenti.
Rreth dy orë pas fillimit të koncertit, gjatë një momenti koreografik, balerinët u afruan drejt pjesës së përparme të skenës, kur njëri prej tyre, Michael Dameski, humbi ekuilibrin dhe u rrëzua para mijëra fansave.
Lady Gaga reagoi menjëherë, duke ndalur performancën dhe duke u siguruar personalisht që balerini të merrte ndihmën e nevojshme mjekësore. Për arsye sigurie, artistja dhe ekipi i saj morën një pushim të paplanifikuar, për të ndërruar këpucët me të tjera më të përshtatshme për skenën e lagur.
Pas ndërprerjes së shkurtër, koncerti vijoi normalisht dhe Gaga vazhdoi shfaqjen me këngë të tjera të njohura si “Rain On Me”, “How Bad Do You Want Me” dhe “Always Remember Us This Way”, duke u duartrokitur fuqishëm nga publiku.











































