Kryefjala Logo

Të mërkurën nis festivali:Organizatorët zbulojnë surpriza dhe risi të Fest 64’

13 Dhjetor, 2025 | 4:25 pm

Orkestra, bendi muzikor dhe artistët vijojnë provat intensive përpara fillimit të Festivalit të 64-të në RTSH.

Organizatorët kanë zbuluar disa prej surprizave dhe të ftuarve të këtij edicioni, ku mysafiri special në natën e katërt (finale) do të jetë këngëtari estonez Tommy Cash.

Lajmi u publikua nga drejtoresha e përgjithshme e RTSH-së, Eni Vasili.

Ndërkohë producentja e këtij edicioni, Belioza Çoku, tregon për të ftuarit e tjerë dhe temën e Festivalit të 64-të, e cila është “Neo Albania Future” – një vizion për të ardhmen e muzikës shqiptare.

Për dirigjentin Alfred Kaçinari, risia më e madhe e këtij edicioni janë këngëtarët e rinj, të cilët janë edhe qëllimi kryesor i festivalit.

Skenaristi i Fest 64, Koloreto Cukali, tregon se mes dy moderatorëve Salsano Rrapi dhe Arilena Ara ka një kimi profesionale, çka e ka ndihmuar për t’iu përshtatur sa më shumë skenarit.

Në dy netët e para do të prezantohen këngët për publikun dhe jurinë, nata e tretë i përket natës së nostalgjisë, e cila do t’i dedikohet këngëve dhe autorëve që kanë bërë historinë e festivalit ndër vite, ndërsa nata e katërt, finale, do të zgjedhë fituesin që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2026.

Të ngjashme