Showbiz
Erik Lloshi shpërthen ndaj cinizmit pas vdekjes së Shpat Kasapit: Dhimbja nuk është spektakël, më kërkuan të qaj në studio
9 Dhjetor, 2025 | 12:02 pm

Këngëtari Erik Lloshi ka reaguar me tone të forta pasi, sipas tij, është përballur me komente të papranueshme në ditët e trishtueshme pas humbjes së mikut të tij, Shpat Kasapit. Ai rrëfeu se ka qenë i ftuar në një emision televiziv menjëherë pas lajmit tragjik dhe nuk ka mundur të përmbahet nga lotët, i prekur thellë nga ndarja e papritur e kolegut.
Por pikërisht pas këtij momenti emocional, Lloshi është goditur nga një seri reagimesh që e kanë shokuar. Disa gazetarë dhe persona nga produksioni, sipas tij, i janë drejtuar me komente cinike si “Sa bukur qaje”, madje të tjerë i kanë propozuar të rikthehej në studio për të “qarë sërish” në nder të artistit të ndjerë.
Këto qasje, që Lloshi i quajti të ftohta dhe joprofesionale, e kanë revoltuar thellësisht. Ai u shpreh se është e pabesueshme që dhimbja e një humbjeje të shndërrohet në mjet spektakli, duke apeluar për më shumë humanizëm dhe etikë, sidomos në momente të tilla të rënda.
Shpat Kasapi ndërroi jetë pak ditë më parë pas një sulmi në zemër, teksa ndodhej në Itali ku po shoqëronte djalin për trajtim shëndetësor. Humbja Kasapi u nda nga jeta vetem 40 vjec.Ai u përcoll për në banesën e fundit në Tetovë, qytetin ku nisi karrierën dhe ku u shndërrua në një nga zërat më të dashur të muzikës shqiptare.
Reagimi i Lloshit ka hapur diskutime më të gjera mbi mënyrën se si trajtohen figurat publike në periudha zie dhe mbi kufirin etik që, sipas shumë ndjekësve, shpesh tejkalohet nga media dhe produksionet televizive.












































