Showbiz
Binjaket e famshme Kessler gjenden të vdekura së bashku: mediat gjermane raportojnë për vetëvrasje të asistuar
17 Nëntor, 2025 | 6:15 pm

Binjaket ikonë të skenës europiane dhe sidomos të televizionit italian Alice dhe Ellen Kessler, janë gjetur të vdekura në banesën e tyre në Gruenwald, pranë Mynihut. Dy motrat, 89 vjeçare, kanë ndërruar jetë të njëjtën ditë, duke i qëndruar besnike premtimit të tyre të shumëpërfolur: “Dëshira jonë është të ikim bashkë, në të njëjtën ditë. Mendimi që njërës t’i ndodhë më parë është i padurueshëm”, kishin thënë ato ditën e 88-vjetorit.
Sipas raportimit të gazetës gjermane Bild, motrat Kessler kishin zgjedhur vetëvrasjen e asistuar. Policia e Mynihut ka mbërritur në vendngjarje pasi ato kishin ndërruar jetë, ndërsa hetimet paraprake përjashtojnë çdo përfshirje të personave të tjerë.
Kush ishin binjaket Kessler?
Alice dhe Ellen Kessler kishin lindur më 20 gusht 1936 në Nerchau të Saksonisë. Karriera e tyre televizive i bëri të dashura në Gjermani, por veçanërisht në Itali, ku u kthyen në një fenomen kulturor falë pjesëmarrjes në spektakle si Giardino d’inverno, Studio 1 dhe Canzonissima.
Publiku italian i pagëzoi si “këmbët e kombit”, edhe pse në ekran ato shfaqeshin gjithmonë me çorape të zeza të trasha të epokës.
Një duo e pandarë deri në fund
Binjaket Kessler ishin të pandashme në jetë dhe në skenë. Ato kishin shprehur prej kohësh dëshirën që të varroseshin së bashku, në një urnë të vetme, pranë hirit të nënës së tyre Elsa dhe qenit Yellow. Ellen e ribësoi këtë dëshirë edhe në një intervistë të dhënë pak muaj më parë për Corriere della Sera.
Një epokë që mbyllet
Binjaket Kessler lanë gjurmë të pashlyeshme në spektaklin italian dhe europian. Në vitet e pasluftës ato sollën në skenë numra kërcimi të guximshëm që u quajtën “mrekullia e dyfishtë gjermane”.
Pas sukseseve të mëdha në Rai gjatë viteve ’60, në vitin 1988 ato u shfaqën për herë të parë në role të ndara në programin La fabbrica dei sogni. Hitet e tyre “Da-Da-Umpa” dhe “La notte è piccola per noi” mbeten të paharrueshme.
Në vitin 2006, motrat, të cilat jetonin në shtëpi njësoj të ndërtuara dhe shumë afër njëra-tjetrës, vendosën t’ia dhuronin të gjithë pasurinë Mjekëve Pa Kufij. Edhe pse patën marrëdhënie të qëndrueshme, ato nuk u martuan kurrë.












































