Kryefjala Logo

Zbulohet formula e “Podfestë” podcasti i kushtuar Fest 64′ në RTSH

2 Nëntor, 2025 | 8:52 pm

Për herë të parë, Festivali i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar vjen me një podcast të dedikuar plotësisht këtij eventi legjendar.
Në këtë format të ri do të zbulohen gjithçka që ndodh përtej skenës — prapaskenat, historitë e artistëve pjesëmarrës, këngët me të cilat garojnë, fituesit e çmimeve të mëdha, juria që i ka përzgjedhur, si edhe biseda me gazetarë, tekstshkrues dhe shumë surpriza të tjera që publiku do t’i zbulojë ditë pas dite.

Podcasti, i cili do të nisë për publikun brenda më pak se një jave, do të moderohet nga Drejtoresha artistike e Fest 64, Elhaida Dani, ndërsa një qoshe të veçantë do ta ketë edhe gazetari Olti Curri, që këtë vit mban rolin e PR-it të festivalit. Surprizë është edhe maskoti “Festi-Vali” arushi simpatik që zbukuron studion e podcastit.

Edhe pse organizatorët janë përpjekur ta mbajnë sekret, ne kemi mësuar disa nga të ftuarit e parë që do t’i bashkohen podcast-it. Fituesit e Fest 63, grupi “Shkodra Elektronike”, do të jenë të parët në studio, ku Beatriçe Gjergji është shfaqur e emocionuar për rikthimin e saj.

Në puntatën e dytë, të ftuara do të jenë Zana Çela dhe Jonida Maliqi, dy anëtare të jurisë së Festivalit të një viti më parë, që tërhoqën vëmendjen e publikut për votimet e tyre. Kujtojmë se Jonida Maliqi e renditi Elvana Gjatën në vendin e tretë, çka u përfol si një moment tensioni mes dy artisteve, ndërsa Zana Çela nga ana e saj e vlerësoi Elvanën maksimalisht.

Të ngjashme