Showbiz
Një grup vajzash që pritet të bëjnë lajm me performancën e tyre në Fest 64
29 Tetor, 2025 | 7:27 pm

Grupi “Threex”, i përbërë nga tri motra plot stil dhe energji, do të jetë pjesë e Festivalit të Këngës 64 me këngën “Vitet”, me të cilën ato shpresojnë të sjellin një freski të re në skenën muzikore shqiptare.
Gjatë një interviste për emisionin “Çasti i Duhur” në RTSH, tri motrat zbulojnë se ka qenë këngëtarja e njohur Eneda Tarifa, kushërira e tyre, që i rekomandoi të krijonin një grup, që i mungon tregut shqiptar.
“Threex” janë një shembull i një grupi që është po aq i lidhur me muzikën sa me vlerat e familjes dhe dashurinë për atë që bëjnë dhe kjo, shtojnë tre mitrat, vjen për faktin se në familjen e tyre ka shumë persona të lidhur me muzikën.
“Ne kemi pasur mbështetje të fortë nga të afërm të cilët janë edhe pjesë e industrisë së muzikës. Eneda Tarifa ka qenë një prej atyre që ka besuar tek ne që në fillimet tona dhe na ka mbështetur për të krijuar një grup që i mungon tregut shqiptar. Pas shumë punës, në Korçë, kur kënduam për herë të parë të tria bashkë, familjarët tanë spikatën talentin dhe na dhanë shumë vetëbesim”, shprehet motra e madhe Erta Maria.
“Threex” synon të sjellë në Fest 64 një këngë me një mesazh të fuqishëm, ku nuk mungojnë edhe elementet e etno-pop/world fusion. Kënga “Vitet”, e cila ka bashkëpunuar me producentin Marsel Gunga, është një pasqyrë e shpirtit të grupit dhe gjithashtu një përpjekje për të përfaqësuar muzikën e re dhe të freskët shqiptare në këtë skenë prestigjioze të Festivalit të Këngës.
“Ne kemi qenë gjithmonë të apasionuara pas krijimeve tona, duke i shkruar dhe kompozuar vetë, që kur ishim të vogla. Kjo është gjithashtu arsyeja pse ne u bëmë pjesë e Festivalit të Këngës , sepse ishte ëndrra jonë që kjo skenë të ishte vendi ku mund të shprehim gjithë atë që kemi krijuar. Kënga ‘Vitet’ ka një mesazh të bukur dhe të fortë, dhe besojmë se do të mbetet në memorien e publikut. Ne kemi bashkëpunuar me producentin Marsel Gungën, i cili ishte një nga arsyet pse kënga që do të publikohet më vonë është në nivelin që duam, për të përfaqësuar veten tonë në Festivalin e Këngës. Teksti është bërë në bashkëpunim me Marsel Gungën dhe Endrit Mumajezin, dhe zhanri i këngës do të jetë etno-pop/world fusion”, u shpreh Laura.
Dea, anëtarja më e gazmorja e motrave, ndan një perspektivë të re dhe si ndahen rolet mes tyre.
“Secila nga ne ka stilin dhe vendin e vet. Jemi shumë të lidhura, por gjithashtu kemi pasion të veçantë për punën që bëjmë. Ne mundohemi që secila të shkëlqejë dhe të ketë dritën e vet.”
Përveç pjesëmarrjes në Fest 64, Threex ka paralajmëruar se po punojnë për një projekt të ri muzikor, të cilin do ta zbulojnë më vonë, por për momentin nuk janë gati të ndajnë detaje të tjera. Kënga që po punojnë, thanë motrat, do të jetë pak më “funny”, duke sjellë një energji tjetër për publikun.
Pas debutimit të tyre të parë në vitin 2021, “Threex” kanë sjellë një stil unik, që bashkon energjinë rinore me traditën muzikore të vendit.
Threex konkurron në Fest 64
Kënga: Vite
Zhanri: Ethno Pop World Fusion
Teksti: Threex, Endrit Mumajesi dhe Marsel Gunga
Kompozimi: Marsel Gunga dhe Threex
Orkestrimi: Marsel Gunga












































