Kryefjala Logo

Studiuesi: Mos i dënoni duhanpirësit të qëndrojnë të tillë për gjithë jetën!

2 Prill, 2025 | 11:39 am

Një qasje ndaluese i privon duhanpirësit nga alternativat me risk të reduktuar, paralajmëron studiuesi Patrick Coquart. Kjo pasi qeveria franceze po shqyrton ndalimin e qeskave të nikotinës.
Megjithëse nikotina krijon varësi, dëmi i saj është shumë më i ulët në krahasim me rrezikun që krijon duhani kur digjet, ku çlirohen një sërë substancash të dëmshme dhe potencialisht të dëmshme.

Pas ndalimit të vapes, tani Franca po diskuton ndalimin e qeskave të nikotinës. Këto produkte, të përbëra nga fibra polimeri të mbushura me nikotinë, nuk përmbajnë duhan. Ato vendosen nën buzë dhe shpërndajnë nikotinën për 25-45 minuta.
Franca së fundmi njoftoi Komisionin Europian për përgatitjen e një projektligji që synon ndalimin e qeskave të nikotinës, edhe kur ato nuk kanë përbërje duhani. Sipas ministrave Catherine Vautrin (Puna, Shëndetësia, Solidariteti dhe Familja) dhe Yannick Neuder (Shëndeti dhe Kujdesi), marketingu agresiv i këtyre alternativave do të inkurajonte konsumin në masë, sidomos te të rinjtë.

Kjo lëvizje nuk bazohet në fakte apo të dhëna të mjaftueshme, sepse këto produkte konsumohen ende shumë pak në Francë.
Në Suedi, konsumimi i “snus” ka përgjysmuar numrin e duhanpirësve në njëzet vjet, jo vetëm te burrat, por edhe te gratë, duke rezultuar në një shkallë të vdekshmërisë nga kanceri i mushkërive më të ulët – respektivisht 29.1 për 100,000 banorë, nën mesataren europiane që qëndron në 66.7.

Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara, përmes Administratës së Ushqimit dhe Barnave (FDA), një agjenci e fuqishme shtetërore përgjegjëse për monitorimin e ushqimit dhe ilaçeve, së fundmi autorizuan shitjen e qeskave të nikotinës. FDA pranon se ato zvogëlojnë rreziqet e kancerit dhe sëmundjeve të rënda që lidhen me duhanin.
Nëse këto alternativa konsiderohen të dobishme në anën tjetër të Atlantikut, pse duhet të ndalohen në Francë?

Duke shtuar kufizimet për produktet alternative, qeveria franceze po privon lirinë e duhanpirësve për të zgjedhur alternativa më pak të dëmshme se cigaret. Zëvendësuesit e nikotinës që përshkruhen nga mjekët ose farmacistët nuk mjaftojnë për të frenuar epideminë e duhanpirjes. Kjo duket dhe në shifrat e publikuara midis 2019 dhe 2023, ku numri i duhanpirësve ditorë është ulur vetëm me 11%.

Për më tepër, përveç ndalimit, çmimet, të cilat janë vazhdimisht në rritje, i shtyjnë njerëzit drejt tregut ilegal, i cili është tërheqës për shkak të çmimeve të ulëta.

Përmirësimi i financave publike
Si rezultat, lufta kundër kontrabandës është e shtrenjtë për shtetin, ndërsa të ardhurat nga taksat e duhanit kanë rënë me më shumë se 1.6 miliardë euro që nga viti 2020. Trajtimet zëvendësuese të nikotinës i kushtojnë sistemit të sigurimeve shoqërore miliona, pa asnjë garanci që do të jenë efektive. Lejimi i qeskave të nikotinës dhe alternativave me risk të reduktuar do të zvogëlonte kostot e lidhura me duhanpirjen dhe do të gjeneronte të ardhura të tjera shtesë për shtetin. Në Suedi, këto alternativa taksohen sipas nivelit të tyre të rrezikut, duke inkurajuar duhanpirësit të zgjedhin ato më pak të dëmshme.
Një studim anglo-italian vlerëson se konvertimi i vetëm 10% të duhanpirësve në produkte alternative do t’i kursente Sigurimeve Shoqërore të Mbretërisë së Bashkuar (NHS) më shumë se 100 milionë paund në vit, pasi do të zvogëlonte numrin e shtrimeve në spital. Në Francë, e cila ka disa miliona duhanpirës më shumë se Mbretëria e Bashkuar, kursimet do të ishin të konsiderueshme për spitalet dhe sistemin shëndetësor.
Ndalimi i të gjitha produkteve alternative i privon duhanpirësit nga alternativat më të mira, me risk të reduktuar. Ndërkohë, shteti mund të zgjedhë një qasje më praktike dhe realiste që fokusohet në reduktimin e dëmit nga duhani.
Patrick Coquart i bën thirrje kryeministrit francez, François Bayrou, për të ndaluar ministrat e shëndetësisë të marrin vendime të gabuara, me pretendimin se nikotina është po aq e rrezikshme sa djegia e duhanit. “Në vend që t’i privoni duhanpirësit, ndihmojini ata të lënë duhanin duke zgjedhur alternativa më pak të dëmshme,” – shton Coquart.
Patrick Coquart është një studiues i asociuar në Institutin për Kërkime Ekonomike dhe Fiskale (Iref).

Të ngjashme