Lajme nga vendi
SKANDAL/Kompania e preferuar e oligarkut të njohur fiton tender 15 milion euro, 5 më shumë se oferta më e ulët
8 Janar, 2021 | 9:42 pm

Tenderat abuziv dhe të njëanshëm në Shqipëri nuk kanë fund, i tillë është edhe ai i rrugës Palasë – Dhërmi, një rrugë, qe edhe në dokumentet e tenderit nuk ka të detajuar sa kilometra do bëhen. Por, do të ecet me parimin “të bejmë, sa të bëjmë”.
Fitues i këtij tenderi është shpallur kompania Gjikuria, kompani e cila po ndërton edhe resortin “Green Coast” të oligarkut Samir Mane.
Dokumentet fillestare flisnin për një paracaktim të fituesit. Të gjithë konkurentët e mëdhenj kishin dyshime të forta se fitues do të shpallej kompania që prej 5-6 vitesh po fiton të gjithë punët publike nga Palasa në Himarë.

Sipas dokumenteve të mësipërme, që i ka publikuar “Boldnews”, disa kohë më parë u hap tenderi për ndërtimin e rrugës Palasë – Dhërmi. Nga hulumtimi, nuk rezulton sa rrugë do të ndërtohet nga Palasa në Dhërmi, apo ku është gjurma. Por, vetëm disa skica që nuk kanë metrat. Natyrisht që fituesi duhet t’i dijë dhe ndoshta janë sekret për të tjerët.
Por, po në të njëjta dokumente, fondi për këtë tender ka qenë plot 15 milionë euro. Në procedurën e Autoritetit Rrugor Shqiptar kanë marrë pjesë 7 kompani. Njëra më e fuqishme se tjetra. Me politikanë dhe media pas tyre. Nga ato kompani që kanë fituar shumicën e tenderëve në të gjithë Shqipërinë, ku më e vogla duhet ti ketë futur në xhep dhjetëra milionë euro punë publike.
Në garë morën pjesë që nga Fusha, Salillari, Gener 2, Alko Impex, etj, të cilat në këto vite janë sulmuar dhe akuzuar se kanë fituar tendera të paracaktuar. Megjithatë, pavarësisht emrit, nëse do të kishte një garë të mirëfilltë, pavarësisht emrit fitues, të paktën shteti do të kursente miliona euro dhe jo t’ia jepte fituesit të paracaktuar.
Po le të analizojmë kompaninë që ka ofruar më pak me atë që u shpall fituese. Sipas dokumenteve, ofertën më të ulët e ka pasur bashkimi i operatorëve Gener 2 dhe 4 A-M të cilat ofruan 976.511.526 lekë. Me TVSH, as 10 milionë euro! Ndërkohë, sipas procedurës, fitues në këtë tender u shpall firma Gjikuria me një vlerë 1.562.805.184 lekë. Pra, më shumë se 15 milionë euro.
Diferenca është vërtetë e frikshme, pasi bëhet fjalë për më shumë se 5 milionë euro që fare mirë mund të ishin përdorur në punë të tjera publike. Por, Ergys Verdho, vetëm pak muaj nga zgjedhjet, ka filluar të shpërblejë kompanitë e preferuara!


















































