Lajme nga vendi
Meta takim online me mjekë për Covid-19, Vasili: Qeveria ka marrë masa të gabuara, nga 27 raste shkuam në 835
25 Nëntor, 2020 | 1:58 pm

Presidenti i Republikës Ilir Meta është duke zhvilluar një takim online me disa mjekë lidhur me situatën e pandemisë në vend.
Gjatë fjalës së tij, mjeku Petrit Vasili është shprehur se qeveria nuk ka marrë masat e duhura për parandalimin e infektimit.
Petrit Vasili: “Themeli i gjësë mbetet që i gjithë sistemi të ketë një dekoncentrim të situatës. Vija e zjarrit, e ashtuquajtur, e vendosur në Qendrën Spitalore Universitare, është një vijë zjarri e vendosur gabim. Kemi të bëjmë me një pandemi, jo me një shpërthim epidemiologjik. Nuk duhet kufizuar në hapësirë dhe në kohë.
Nëse nuk e pranojmë pandeminë, në tërësinë e masave, por nisemi nga masa të shkëputura, do të ndodhë që të marrim masa që nuk e kufizojnë pandeminë, ngjallim mosbesim dhe nuk e bëjmë popullatën solidare me ne. Franca në 4 nëntor regjistronte 58 mijë raste. Mori masat e një lockdown-i të caktuar dhe Franca ka patur dje ka patur 4500 raste. Masat duhet të kenë efektivitet që të kufizojnë pandeminë. Masa si këto të marra deri tani, që nga 27 raste që ishte piku, në 835 raste, 40 herë më shumë, janë masa edhe të gabuara, edhe të pakonsultuara dhe që nuk e ndihmojnë pandeminë”.
















































