Kryefjala Logo

“Kaseta është marrë nga Dash Peza”/ Basha: Ja roli im në Kosovë

19 Nëntor, 2020 | 11:21 pm

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i ftuar këtë të enjte në emisionin “Opinion” në Tv Klan u është përgjigjur akuzave për kohën e tij kur ka qenë pjesë e UNMIK në Kosovë.
Pyetjes së gazetarit Blendi Fevziu lidhur me kasën për masakrën e Krushës së Madhe, Basha tha se nuk e ka marrë kurrë dhe shtoi se akuzat kundër tij janë çmontuar.
Basha: “E vërteta është ajo që ju keni shteruar tashmë këtu. Kaseta e masakrës së Krushës së Madhe, është marrë nga Dashamir Peza, si përkthyes i BBC. Sa i përket faktit tjetër, e ka hedhur poshtë Baton Haxhiu. Unë jam krenar për çdo sekondë të kaluarës sime dhe për kohën që kam shërbyer në Kosovë. Të gjitha akuzat janë sajesa absolute. Të gjitha kanë marrë përgjigje të qartë”.
Lidhur me takimin me Bellanicën, Basha tha se nuk e ka takuar kurrë dhe shtoi se është dëshmia e Dashamir Pezës është prova e qartë që kasetën e ka marrë BBC.
Basha: “Asnjëherë nuk jam takuar me Meliam Bellanicën. Sips dëshmisë së Dashamir Peza, kaseta është marrë nga ai dhe BBC, që është transmetuar nga të gjithë televizionet e tjerë. Për akuzën tjetër, gjithçka është çmontuar nga Baton Haxhiu, unë s’kam qenë kurrë pjesë e hetimeve për UÇK-në”.
Biseda në studio:
Blendi Fevziu: Pyetja është e drejtpërdrejtë, që mos të bëjmë xhiro shumë edhe mos të thoni prapë se jam nip Peje ose jo. E keni marrë kasetën e Milaim Bellanicës, pra kasetën e masakrës së Krushës? Nuk ka rëndësi se me kë keni kontaktuar.
Lulzim Basha: Së pari, ju falenderoj për ftesën në këtë studio edhe shpreh mirënjohjenpër këtë panel, i cili besoj që do ketë mundësinë të shterojë edhe njëherë atë që keni bërë ditën e hënë. Padiskutim që qytetarët që kanë ndjekur emisionin tuaj e ditës së hënë, e kanë marrë përgjigjen për pyetjet që sapo ushtruat dhe e vërteta është ajo që ju keni shteruar tashmë këtu, e cila është pohuar nga njerëz që kanë treguar një integritet të lartë moral. Kasetat e masakrës së Krushës së Madhe, sipas vetë dëshmive të tijë është marrë nga Dashamir Peza, Dash Peza.
Blendi Fevziu: Është marrë nga BBC.
Lulzim Basha: Në atë kohë si përkthyes i BBC, fakt të cilin unë e kam mësuar përmes rrëfimit të tij. Sa i përket pohimit tjetër, ishte me kurajo gazetareske vete zoti Baton Haxhiu që e hodhi poshtë si të pavërtetë.
Blendi Fevziu: Më fal! Ndalojmë dhe një moment te…
Lulzim Basha: Më ndalo sa të duash por meqë pyete.
Blendi Fevziu: A keni punuar gjatë viteve 1999 në administratën e tribunalit të Hagës në Tiranë?
Lulzim Basha: Edhe njëherë t’i japim përgjigje pyetjeve, pastaj ju them gjithçka unë, sepse unë jam krenar për çdo sekondë të të kaluarës sime në shërbim të Kosovës, Shqipërisë dhe të interesave kombëtare. Por meqë bëre pyetje, merr përgjigje pastaj bëj pyetje të tjera. Ta bëjmë këtë pakt? Se për ndryshe…
Blendi Fevziu: Dakort, dakort.
Lulzim Basha: Se përndryshe vazhdojmë lojën e tymit dhe të pasqyrave që kanë nisur prej 10 ditësh. E para kjo. Pra për kasetën besoj e morën përgjigjen gjithë shqiptarët që ishte një fabrikim, një trillim i ulët. Unë këtu nuk kam ardhur të përsëris gjëra, që ju vetë i shteruat në këtë studio. Nuk kam ardhur për veten time, se unë nuk kam absolutisht, nuk ndihem as i dëmtuar as i kërcënuar nga hera e tretë në 15 vite që përsëriten të njëjta akuza.
Blendi Fevziu: Jo, kjo çështja e kasetës së Krushës ka qenë për herë të parë e bërë. Zoti Bellanica ka dhënë disa detaje, që ka thënë se i je prezantuar si nip Peje që ke prejardhje nga Kosova.
Lulzim Basha: Shiko që unë jam nip Peje nga gjyshja dhe nip Drenice nga gjyshi, prindërit e nënës sime, ky është një fakt i njohur publikisht të cilin unë e kam pohuar me qindra here, edhe në Kosovë edhe në Shqipëri. Kështu që të qëndrojmë tek pyetja juaj. Janë sajesa absolute dhe ju këtu në këtë studio i jeni përgjigjur të gjitha këtyre akuzave. Kanë marrë një përgjigje të qartë dhe pa ekuivoke. Çështja e kasetës që ishte një…
Blendi Fevziu: Po kasetën lamë. A keni udhëtuar ju drejt Kukësit? A e keni takuar Milaim Bellanicën? A e keni marrë kasetën apo kopjen e kasetës, nuk ka rëndësi?
Lulzim Basha: Asnjëherë nuk e kam takuar z. Bellanica!
Blendi Fevziu: Asnjëherë?
Lulzim Basha: Asnjëherë! Dhe fakti që Dashamir Peza tregon se kaseta është marrë në dorëzim, është transmetuar nga BBC World, më pas nga më shumë se 15 kanale perëndimore.
Blendi Fevziu: 180 kanale.
Lulzim Basha: Apo 180 kanale perendimore dhe sipas pohimeve…
Blendi Fevziu: Janë transmetuar 2 minuta, po flasim për një kasetë 40 minutëshe.
Lulzim Basha: Sipas pohimeve kaseta është marrë në dorëzim nga BBC-ja, e nxorrët ju këtu nuk e thashë unë, e tha Dash Peza i cili mund të identifikohet si mik apo ish mik i Ramës po kurrë si miku im, pra nuk ka asnjë interes të dalë e të thotë dicka të rreme në favorin tim. Besoj për këtë jemi dakort, pra është e çmontuar gënjeshtra e parë. E dyta, u çmontua me kurajo gazetareske profesionale nga zoti Baton Haxhiu. Ka thënë të vërtetën, kurrë asnjëherë nuk kam qenë pjesë e asnjë procesi kundër Ushtrisë Çlirimtare të kosovës e asnjë hetimi, e asnjë ..
Lorenc Vangjeli: Arrestimi hetimor.
Lulzim Basha: Shiko, arrestimet i bën policia zotëri, unë s’kam bërë kurrë funksione të tilla në asnjë çast të jetës sime profesionale, në asnjë organizatë ndërkombëtare. I vetmi… dy hetime kam bërë. Unë kam qenë pjesë e ekipit të Tribunalit të Hagës që ngriti aktakuzën kundër Sllobodan Millosheviçit në vitet 98-99 dhe ka kulmuar me ngritjen e padisë, nëse nuk gabohem diku midis datave 20 dhe 28 Maj.
Blendi Fevziu: 21 Maj 1998.
Lulzim Basha: Ajo është data kur është konfirmuar nga Luiza Louise Arbour, por sigurisht prokurori e ka dërguar më përpara, kam qenë pjesë e këtij ekipi, jam krenar që kam dhënë kontributin tim për çuarjen para drejtësisë të kasapit të Ballkanit. Në Kosovë, në detyrën time të parë në Mitrovicë, kemi hetuar disa krime të forcave paramilitare serbe. Në Mitrovicë, siç ka qenë ajo në atë që njihet si lagja Boshnjake.
Blendi Fevziu: Në cilin vit?
Lulzim Basha: Në 2000.
Blendi Fevziu: Po.
Lulzim Basha: Dhe në pjesë të tjera të territorit të Mitrovicës, edhe në qytet edhe në fshatra. Këto janë hetimet e vetme që kam bërë unë apo kam ndihmuar, sepse vetë nuk bëja. Kam ndihmuar në rolin tim në këto dy organizata.

Të ngjashme