Lajme nga vendi
700 policë të infektuar, 19 të intubuar, 11 të vdekur/ Kreu i Sindikatës: Për të ardhur keq, asnjë trajtim nga shteti
27 Nëntor, 2020 | 2:52 pm

Një prej kategorive më të ekspozuara në përballjen me COVID-19 janë punonjësit e Policisë së Shtetit.
Një numër i tyre janë të infektuar dhe fatkeqësisht ka pasur edhe shumë humbje jete.
Kreu i sindikatës së punonjësve të policisë, Sadetin Fishta, në një intervistë për Report Tv, shprehet se bëhet fjalë për rreth 700 policë të infektuar me koronavirus, nga të cilët 11 kanë humbur jetën.
“Shifra zyrtare nuk ka por në mediat të ndryshme janë publikuar të dhëna. Bëhet fjalë që sot janë të prekur nga COVID rreth 700 punonjës policia, 19 në gjendje intubimi. 11 kanë vdekur nga COVID.
Duke qenë në kontakt të drejtpërdrejtë më shumë qytetarë policët janë më të ekspozuar dhe ndaj shumë janë prekur nga kjo sëmundje vdekjeprurëse”, thotë Fishta.
“Kemi informacione se punonjës policie janë intibuar pranë familjeve të tyre por dhe me përdorimin e oksigjenit në shtëpi.
Në këtë rast punonjësit e policisë nuk janë trajtuar fare me ndihme nga shteti. Ka vetëm një akt për ndihmë dhe janë të përfshirë vetëm forcat speciale dhe jo për të gjithë policinë”, vijoi ai.
” Është për të ardhur keq. Ne kemi pasur kontakte me vendet e rajonit dhe punonjësit e policisë kanë pasur trajtim tjetër ndërsa këtu te ne asnjë lloj trajtimi edhe pse kanë qenë në ballë të luftës për kufizimin e përhapjes së COVID”, deklaron Kreu i sindikatës së punonjësve të policisë, Sadetin Fishta.
Një tjetër shqetësim madhor i z. Fishta ishte edhe fakti që punonjësit e policisë nuk kanë mundur të bëjnë pushime gjatë gjithë pandemisë dhe sipas tij nuk janë paguar për orët shtesë.
“Punonjësit kanë kohë që nuk e shikojnë pushimin javor që e kanë me ligj. Mbi koha e punës ka arritur që një punonjës të ketë mbi 40 orë shtesë në muaj. Kjo nuk i quhet mbi kohë pune por njëkohësisht nuk i paguhet.
Që nga janari punonjësit e policisë nuk i kanë marrë dietat. Qeveria, Policinë e Shtetit nuk e ka fare në plan për të drejtat e ligjshme. Dietat nuk parashkruhen. Çdo përfitim financiar ka një afat prej 3 vitesh. Qeveria ka detyrimin që ta paguajë dietën muajin pasardhës që është bërë shërbimi”, tha Fishta.


















































