Showbiz
Vedat Ademi rikthehet në Festivalin e Këngës: Nëse fiton Fest 64, a do të jetojë në Shqipëri apo në SHBA?
10 Dhjetor, 2025 | 1:03 pm

Vedat Ademi vjen me një rikthim surprizë në Festivalin e 64-të të Këngës në RTSH, këtë herë me projektin e tij më të ri “Kur fjala mbaron”, një këngë e ngarkuar me emocion dhe nostalgji që shënon kthimin e tij në skenën shqiptare pas shumë vitesh.
Edhe pse tashmë jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, këngëtari vendosi të marrë pjesë në këtë edicion të festivalit, duke e konsideruar këtë rikthim si një rikthim simbolik në rrënjët e tij artistike. Ai u shpreh se Festivali i Këngës ka qenë gjithmonë një prej stacioneve më të rëndësishme të karrierës së tij dhe pjesëmarrja sivjet ishte një emocion i veçantë.
Gjatë intervistës në emisionin “PodFest” me Elhaida Danin, Vedati foli për fillimet e tij në muzikë, rrugën e vështirë deri te sukseset e para dhe largimin e tij drejt Amerikës ku ka ndërtuar jetën dhe familjen. Ai tregoi se megjithëse jeton në SHBA, lidhja me publikun shqiptar dhe me skenën këtu mbetet e pandryshuar.
I pyetur nëse një fitore në Festivalin e Këngës do ta shtynte të rikthehej përfundimisht në Shqipëri, Vedati u shpreh se muzika e tij është për shqiptarët kudo që ndodhen, por jeta e tij momentale është në SHBA. Megjithatë, ai la derën e hapur për një periudhë më të gjatë qëndrimi në Shqipëri nëse projektet muzikore e kërkojnë.
“Unë jam aty ku më çon muzika,” tha Ademi, duke lënë të kuptohet se karriera i përket skenës shqiptare po aq sa dhe asaj ndërkombëtare.










































