Sport
Poker ndaj Beneventos, Inter fiton bindshëm dhe vijon ndjekjen e Milanit
31 Janar, 2021 | 11:25 am
Interi bën detyrën ndaj Beneventos, pasi e mposhti me rezultatin e pastër 4-0, në një ndeshje që nuk rezultoi të ishte shumë e vështirë për zikaltrit, të cilët tashmë shkojnë në kuotën e 44 pikëve, dy më pak se Milani kryesues.
Pas golit me shumë peshë në çerekfinalet e Kupës së Italisë ndaj Milanit, Antonio Conte kishte shpërblyer me një fanellë titullari danezin Christian Eriksen, i cili edhe sfidën e sotme e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme.
Në minutën e 7’ fantazisti danez ekzekutoi mjaft mirë një goditje dënimi, që pasi gjeti një devijim të lehtë të Improttës, përfundoi në trekëndëshin e portës së portierit Montipo, duke bërë që zikaltrit të kalonin në avantazh.
Goli u dha qetësi futbollistëve të Interit, që nëpërmjet disa zbritjeve të rrezikshme i shkuan shumë pranë golit të dytë, por dy herë Lautaro dhe një herë Hakimi, pas një asisti nga Eriksen, gabuan në finalizim.
Nga ana tjetër Benevento bëri shumë pak për të kërcënuar portën e Handanoviç, pasi mbrojtja zikaltër ia doli të mbajë shumë larg zonës sulmuesit e skuadrës së Inzaghit dhe pjesa e parë përfundoi me avantazhin minimal të Interit.
Edhe pjesa e dytë nisi mjaft vrullshëm për zikaltrit, që në minutën e 57’ gjetën edhe golin e sigurisë, teksa pas një kombinimi disi të rrëmujshëm në hyrje të zonës, Lautaro Martinez gjuajti saktë me të majtën dhe mposhti portierin Montipo.
Ky gol lehtësoi ndjeshëm punën për Interin, pasi Benevento humbi besimin se mund të bënte diçka në “San Siro”, ndërsa më pas ishte radha e Lukakut që të shënonte edhe dy herë të tjera, fillimisht i asistuar nga Lautaro pas një gabimi të Montipo dhe më pas i shërbyer nga Sanchez.
Me dopietën e sotme Lukaku parakaloi Immobilen dhe ibrën në renditjen e golshënuesve, duke shkuar në kuotën e 14 golave, vetëm një më pak se Cristiano Ronaldo, ndërsa në minutën e 81-të i la vendin në fushë të riut Andrea Pinamonti.
Në minutat e mbetura pati kohë edhe për spektaklin e Eriksen, që tentoi dy herë golin, fillimisht me një goditje nga këndi dhe më pas me një gjuajtje nga jashtë zone, por në të dy rastet portieri Montipo ia doli të grushtojë topin.
Vërshëllima finale e arbitrit Pasqua la në fuqi fitoren 4-0 të zikaltërve, që ruajnë vendin e dytë, me vetëm dy pikë larg Milanit kryesues dhe shkojnë me moral të lartë në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë ndaj Juventusit, e planifikuar për të martën në mbrëmje.