Sport
Laçi mposht Tiranën me një euro gol, trajneri Dede jep dorëheqjen
25 Janar, 2021 | 5:29 pm
Tirana e mori goditjen morale pa filluar ndeshja, sepse trajneri Nevil Dede e braktisi skuadrën. Mosmarrëveshjet për formacionin me presidentin Halili bënë që ish-kapiteni të dorëhiqet, duke e lënë bosh stolin. Provizorisht, që aty drejtoi Tefik Osmani, drejtori sportiv, por nuk e evitoi dot disfatën.
Pas një loje të hapur, me sulme dhe kundërsulme të dyanshme, por me mungesë finalizimi, u desh të vinte zgjidhja nga një veprim individual i prishtinasit 31-vjeçar. Minuta e 72-të; goditje dënimi për kurbinasit. Merr përsipër Mazrekaj, i cili “pikturon” një supergol.
Përmes goditjes së lirë prej afro 20 metrash largësi nga porta kundërshtare, prirtazi me të, ia del ta dërgojë topin në rrjetë. Një ekzekutim mjeshtëror, që i lë pa fjalë të gjithë në stadium, deri në njëfarë mase sfidon edhe ligjet e fizikës, gravitetin etj. Trajektorja mbi murin e Tiranës është tejet e çuditshme, e pabesueshme, por jo për këmbët e një talenti si Mazrekaj.
Gol për vitrinë, që me siguri ka ngazëllyer edhe tifozët e Partizanit, të cilët dikur e kishin idhull të tyre. Ky ishte goli i 3-të i tij në këtë kampionat, hera e tretë që e niste titullar. Po ashtu, ai ka dhënë edhe 2 asiste, duke e shpërblyer më së miri besimin e trajnerit Shpëtim Duro.
Në fund, duke qenë se Tirana nuk arriti të barazonte, goli i tij dërgoi 3 pikë të çmuara në llogarinë e bardhezinjve. Me këtë fitore, që largon disi hijet e krizës, Laçi ngjitet në kuotën e 24 pikëve, në vendin e katërt. Tirana pëson humbjen e katërt në këtë kampionat, duke e “parë me dylbi” kreun tashmë, sepse ka 20 pikë, në vendin e 6-të, një hendek prej 16 pikësh nga kreu, i cili mbahet me meritë nga Vllaznia prej fillimit të garës.
TIRANA-LAÇI 0-1
Goli: Mazrekaj 72′
Tirana: Bekaj, Toshevski, Najdovksi, Hoxhallari, Ismajlgeci, Danso (Cale 59′), Toli (Vayrynen 78′), Vrapi (Halili 46′), Torassa (Behiratche 87′), Muçi, Seferi. Trajner: Tefik Osmani (drejtori sportiv)
Laçi: Sherri, Selmani, Ignjatovic, Obanor, Marku, Deliu, Shehu, Lushkja (Lucas Ramos 89′), Musta, Mazrekaj (Xhixha 80′), Nëabueze Trajner: Shpëtim Duro.
Kartonë të verdhë: Torassa 47′ / Nëabueze 23′, Ignjatovic 66′, Turkaj 84′, Marku 92′