Kryefjala Logo

INVESTIGIMI për Tom Doshin, Australia i ka hequr vizën deputetit

8 Mars, 2021 | 7:09 pm

Ambasadorja Yuri Kim ka folur me emër për deputetin e Partisë Social-Demokrate, Tom Doshi, duke kërkuar që ai të mos përfshihet në listat e kandidatëve për deputetë. Me anë të një manovre ligjore, partia e Doshit me një tjetër kryetar arriti të përfshihej në zgjedhje, por apeli i Kim u përsërit dje mbrëma në një mesazh të fortë ku mes rreshtave thuhej: Pas listave ne do të shohim nëse liderët e partive e kanë kuptuar mesazhin tonë.

Por çfarë ka ndodhur?

Shumë e kanë interpretuar sulmin e Kim si retorikë politike. Por sot zbulojmë një tjetër informacion, që shpjegon qasjen konkrete të Kim për të folur me emra. Në Radio Televizionin Publik Shqiptar është transmetuar sot një investigim i financuar nga Ambasada Amerikane. Projekti “31 minuta”, i cili financohet nga SHBA, ka patur në fokus çështjen e dekriminalizimit ku zbulon se Tom Doshit nuk i është ndaluar hyrja vetëm në SHBA. Në këtë investigim zbulohet se Doshit i është ndaluar nga ministria e Brendshme e Australisë në qershor të 2015, hyrja në Australi.

Në dokumentar zbulohet se: Qershor 2015, ministri i Brendshëm i Australisë i revokoi vizën australiane bazuar në informacione koefidenciale se nuk e kaloi testin e karakterit. Vendimi ishte dhënë 3 vite para se SHBA ti ndalonte atij hyrjen dhe në 2019, ministri nuk pranoi ti hiqte vizën. Kjo ishte shkak që palët të shiheshin në gjykatë e cila refuzoi tre nga qëndrimet e palës ankuese dhe pranoi njërën prej tyre, pasi sipas gjykatës, ministri mund të mos ketë patur një mendim të pavarur dhe i kërkoi atij që të tregonte se veproi në mënyrë të pavarur. Deri më tani, ministria që revokoi vizën nuk ka marrë asnjë vendim.

Vendimi:

“31 minuta” ka kontaktuar edhe me avokatin e Tom Doshit, Vladimir Meçen. Avokati thotë se gjykata australiane ka “shpallur” defakto fitues Doshin, duke i lënë barrën e provës ministrisë së Brendshme që të provojë arsyet pse Doshi nuk e kalon dot “testin e karakterit”.

Vladimir Meçe: Ky vendim apo kjo masë e marrë nga ministri i Brendshëm i Australisë është revokuar, është pranuar pjesërisht ankimi i z.Doshit dhe çështja i është kthyer sërish ministrit të Brendshëm. Kush është familjar me procesin gjyqësor, gjykata ka vendosur rimbursimin e shpenzimeve gjyqësore, Doshi mori 21 mijë dollarë, dhe rimbursimi bëhet për palën fituese. Fakti që i është ndaluar apo revokuar viza në Ministri të Brendshme s’përbën shkak për të mos garuar në zgjedhje. Po pret një vendim nga ministri. Republika e Shqipërisë është një shtet i së drejtës, kemi këtë në Kushtetutë, në nenin 4. E përsakohë që në ligjin për dekriminalizimin kjo nuk quhet pengesë ligjore është e drejta e një individi që të kandidojë edhe kur i ndalohet hyrja në një shtet.

Por çfarë thoshte Doshi?

Në vitin 2018, kur Departamenti Amerikan i Shtetit i ndaloi hyrjen, Tom Doshi u mbrojt duke thënë se kishte vizë australiane. Por, sipas investigimit të “31 minuta”, Doshi kishte 3 vite që nuk e kishte më të lejuar hyrjen në Australi.

Çfarë tha Doshi për vizën australiane?

“Fëmijët e mi janë nënshtetas australianë s’kanë nevojë as për vizë amerikane, as kanë qenë asnjëherë në Amerikë, as gruaja ime as fëmijët e mi. E gjithë kjo punë është a e merr vizën apo se merr. E dyta kam aplikuar në ambasadë në kohën që kam qenë në hetim, nuk më është thënë që të refuzohet. Merr një letër nga prokuroria më kanë thënë, dihej që isha në hetim. Nuk më është refuzuar me shkrim, apo me vulë.”-tha Doshi në 2018.

Të ngjashme