Kryefjala Logo

Pak javë pas vrasjes të të vëllait, eksploziv në shtëpinë e të shumëkërkuarit

5 Nëntor, 2020 | 3:41 pm

Talo Çela, i shumëkërkuari për një nga grabitjet e bujshme të Rinasit dhe i dyshuar për disa ngjarje të rënda ka marrë një tjetër mesazh të fortë kriminal.

Një muaj e gjysmë pasi i ekzekutuan vëllanë, 49 vjeçarit në arrati i kanë sulmuar me eksploziv banesën në Katund të Ri të Elbasanit.

Lënda plasesë ishte vendosur në anë të vilës tre katëshe.

Shpërthimi ka qenë i fortë e për pasojë edhe dëmet materiale ishin të mëdha.
Në banesë nuk jeton asnjë nga familjarët e Talo Çelës, ndërsa bie në sy se vila ka sistem të monitorimit me kamera.

Nuk dihet nëse ato janë funksionale dhe nëse kanë kapur pamje të dyshuar të autorëve të tritolvënies, ndërsa nga ana që u vendos eksploziv nuk ka shtëpi të tjera apo kamera sigurie.
Pas veprimeve të para në vendngjarje, policia e Elbasanit mësohet se ushtroi kontrolle në zonë, por nuk ka informacion për persona të shoqëruar.

Më 17 shtator, në një lokal jo shumë larg zonës ku banojnë, u ekzekutua Bujar Çela, vëllai i 49 vjeçarit në kërkim, ngjarje të cilën policia ia ka faturuar Nuredin Dumanit. Ndërsa vetë Talo Çela është autori i dyshuar i grabitjes së Rinasit më 9 Prill 2019, ndërsa akuzohet se fshihet pas ekzekutimit të dy vëllezërve Haxhia në Durrës.

Të ngjashme