Kryefjala Logo

Kur edhe një profesoreshë bëhet aktore në filmat e Rilindjes dhe kur ERTV i vjedh medias termin “ekskluzive”

11 Nëntor, 2020 | 11:14 am

 

Drejtoresha e Pavionit Infektiv në QSUT, Najada Çomo, pjesë edhe e Komitetit Teknik të Ekspertëve, mori dje rolin e aktores në filmin propagandistik me metrazh të shkurtër për ti treguar shqiptarëve se sa mire ndjehen të sëmurët me Covid-19 që shkojnë aty për ndihmë mjekësore.

“Kapacitetet e Shërbimit Infektiv janë 120. Spitali COVID 1 dhe COVID 2. Kapacitetet nuk janë ezauruar, kemi shtretër të lirë. Prandaj hapëm spitalin COVID 3, në mënyrë që pacientët që janë më të përmirësuar i dërgojmë aty. Kapacitetet nuk janë të ezauruara. Ardhja e një ambulancë shoqërohet me një pacient i sëmurë. Ne njoftohemi se po vjen një pacient. Në disa situata kemi ardhjen e disa personave njësoj. Në këto raste ne bëjmë një seleksionim në bazë të kritereve. Ata i nënshtrohen një testimi në çadrat e triazhit. Disa ambulanca presin në mënyrë që të kthejë në shtëpi disa pacientë që kanë pak”, tha Çomo duke rrëzuar kështu dhjetëra kronika të televizioneve të ndryshme dhe dhjetëra deklarata të familjarëve të të prekurve me Covid-19, të cilëve iu janë dashur orë të tëra pritje nëpër auto-ambulanca për shkak të tejmbushjes së Spitalit Covid 1.

Një film që të kujton filmat propagandistikë komunistë që realiuzonte dikur Kinostudio “Shqipëria e Re”.
Por ajo që të irriton më shumë në këtë rast është mënyra se si një profesore, mjeke, lektore e Universitetit të Mjekësisë pranon të bëhet pjesë e propagandës qeveritare dhe tenton të fshehë përmes saj realitetin që të gjithë e dimë.
Për çfarë mund ti frikësohet një mjeke e nderuar dhe me vite ekperiencë mbi supe qeverisë? A mund të hiqet nga puna një mjeke e tillë, mbi të gjitha në një situate të tillë? Pse pranoi zonja Çomo të bëhej pjesë e filmit të Konostudios “Rilindja”?
Kjo janë pyetje, që për një profesioniste si Doktoreshë Najada meritojnë një përgjigje. Se fundja, nëse ajo e bëndiçka të tillë, çfarë duhet të mendojmë për vartësit e saj që kanë frikë të flasin edhe për mungesën e maskave apo dorezave nëpër pavione? Apo për të tjerë që kërcënohen me heqje nga puna, vetë apo familjarët e tyre?

Një tjetër fakt irritues dhe që do donte një reagim më të ashpër nga Shoqatat apo Komuniteti I Gazetarëve është mënyra se si “gazetari” dhe “operatori” i kryeministrit arrin të futet në Pavionin e Infektivit.
Njoh me dhjetëra gazetarë që kanë bërë kërkesë zyrtare për të raportuar nga brenda tij, duke plotësuar të gjitha masat anti-Covid, por askush nuk I lejon. Atëherë si u fut televizioni qeveritar ERTV?

Një tjetër gjë që të vret veshin kur e dëgjon është termi “ekskluziv” që përdorte kryeministri Edi Rama teksa publikonte videon në rrjetet sociale. Për këtë, mediave dhe gazetarëve duhet tu vijë keq se edhe termin “ekskluziv” ua ka vjedhur kryeministri, si shumë gjëra të tjera. Nuk mund t’ju kërkosh bashkëpunim medias në luftën kundër pandemisë në një kohë kur I përdor thjesht si përcjellës të asaj që ti ju çon nga Facebook-u apo me kaseta.

Nuk ka asnjë shqiptar që nuk mbështet punën heroike që po kryejnë mjekët dhe infermierët në luftën anti-Covid, për më tepër kur u mungojnë edhe gjërat më elementare. Por të bëhesh pjesë e propagandës me muzikë të qeverisë dhe të tentosh të mbulosh atë që e shohim dhe e raportojmë çdo ditë në media të bën po aq fajtore sa edhe vetë ata që tentojnë të fshehin të vërtetën.

Të ngjashme