Kryefjala Logo

Ish-krerët e UÇK në Hagë, Rama sot në Samitin e Sofjes përkrah Vuçiç

10 Nëntor, 2020 | 9:55 am

 

Ditën e sotme, Samiti i Sofjes do të mbledhë krerët e rajonit dhe drejtuesit e vendeve kryesore të BE-së për të mbështetur rrugën europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Për shkak të pandemisë Covid-19, samiti do të zhvillohet online dhe do të drejtohet nga Bullgaria e Maqedonia e Veriut.
Treshja që do të hapë zyrtarisht samitin që mbahet në kuadër të Procesit të Berlinit është kancelarja gjermane Angela Merkel, Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunimin Rajonal Majlinda Bregu dhe Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.
Në seancën plenare që nis në orën 11:25 dhe ku diskutohet Tregu i Përbashkët Rajonal do të flasin të gjithë krerët e delegacioneve, pjesë e procesit të Berlinit.
Kryeministri Edi Rama mësohet se do të mbajë fjalën e tij pas Presidentit francez Emanuel Macron dhe Presidenti të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç.
Vendimi më i rëndësishëm i këtij samiti është krijimi i Tregut të Përbashkët rajonal.
Konferenca e këtij viti zhvillohet nën hijen e mosmarrëveshjeve aktuale mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Dy vendet janë edhe organizatoret e këtij samiti. Bullgaria po pengon aktualisht fillimin e konferencës së parë ndërqeveritare të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE për shkak të disa mosmarrëveshje në lidhje me historinë dhe përkatësinë gjuhësore.
Në fillim të javës në Berlin u bënë përpjekje për të ndërmjetësuar midis palëve, por ato përfunduan pa sukses. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Maria Adebahr, tha në Berlin se po punohet që të arrihet një zgjidhje, si ne Berlin ashtu edhe ne Bruksel.
Kujtojmë se ky Samit vjen në një kohë të vështirë për shtetin e Kosovës teksa ish-drejtuesit e UÇK po përballen me akuza monstruoze në Gjykatën Speciale.

Të ngjashme