Kryefjala Logo

“I lumtur të takoja Perëndeshën”, për kë e ka fjalën presidenti Meta

7 Nëntor, 2020 | 8:49 pm

Vizita në Bylysin antik i ka lënë mbresa të paharrueshme presidentit Ilir Meta.

Gjatë qëndrimit të tij atje, Kreu i Shtetit shoqërohej nga Profesor Neritan Ceka. Por në Bylis Meta takoi edhe ikonën e ekranit shqiptar, Silvana Braçe.

“Një vizitë e paharruar në Bylisin antik, dëshmi madhështore e qytetërimit dhe e civilizimit të hershëm të popullit tonë, që nuk duhet ta lini pa e parë.I lumtur të takoja Perëndeshën e ekranit shqiptar, prezantuesen e dashur të çdo brezi, Silvana Braçe, që me praninë e saj i risolli këtij qyteti magjik ilir, bukurinë dhe fisnikërinë e përhershme të gruas shqiptare”, shkruan Meta në Facebook.

Meta ishte në Bylis për të vlerësuar dy artistë të shquar të polifonisë shqiptare.

Kreu i Shtetit dekoroi me Titullin “Mjeshtër i Madh” zotin Guri Rrokaj “Për talentin e spikatur artistik në fushën e folklorit. Krijues, mbartës, studiues e interpretues virtuoz i këngës polifonike shqiptare. Për rolin e veçantë në kultivimin dhe përsosmërinë e këngës së trevës të Mallakastrës”, si dhe zotin Yzeir Llanaj me motivacionin: “Personalitet i shquar i kulturës popullore dhe folklorit me kontribut të spikatur. Krijues, studiues dhe interpretues i polifonisë; drejtues e organizues me nivel të lartë artistik i shumë veprimtarive dhe festivaleve folklorike brenda e jashtë atdheut”.

Të ngjashme