Kryefjala Logo

Gjykata dënon Taulant Ballën, humb gjyqin me gazetarin

2 Nëntor, 2020 | 8:47 pm

Nga Basir Çollaku

Taulant Balla, numri dy i Partisë Socialiste, dënohet nga Gjykata e Shkallës së parë Tiranë. Sekretari i përgjithshëm i partisë në pushtet, ka humbur përballjen ligjore me Shijak TV, pasi ishte paditur nga Drejtori i Informacionit Basir Çollaku. Deputeti socialist është dënuar me 2 milionë lek, të paguaj dëm moral dhe njëherësh shpenzimet gjyqsore, duke bërë që të jetë në listën e personave të dënuar nga drejtësia. Palët janë ankuar në Gjykatën e Apelit. Për Çollakun, ankimi ka të bëjë me pranimin e pjesshëm të padisë, në shkallën e parë dhe vlerësimin e dëmit të shkaktuar. Një proces që zgjati dy vite e një ditë, nga 11 tetori 2018, kur është bërë denoncimi, deri me 12 tetor 2020, në marrjen e vendimit. Pavarësisht kohës së gjatë, vendimi konfirmon të pavërtetat e politikanit, ndërkohë ne do të vijojmë të investigojmë shumë nga deklarimet e oficerit të policisë dhe jemi në një fazë të mbledhjes së provave, për t’i bërë më pas publike.

Paditësi, gazetari Basir Çollaku, ka kërkuar përgenjështrimin e deklarimeve të Ballës, të bëra në emisionin Opinion në 27 shtator 2018, si dhe dëmshpërblim jopasuror, por moral në masën 20 mijë euro.

Gjykata ka pranuar pjesërisht padinë, duke argumentuar se, në këtë pranim janë të përfshirë të gjithë pretendimet e paditësit.

Balla në një padi të bërë në prokurori, në deklarimet e tij publike është shprehur se “…këta persona unë i kam paditur, pasi sipas informacioneve që unë kam, kanë inskenuar këtë lloj historie, në këmbim të 10 mijë eurove, për të përfshirë dhe emrin e kryetarit të Grupit Parlamentar. Besoj dhe kam dyshime të qenësishme se, pjesë të deklarimeve të z.Nuhu, i ka shtypur z.Çollaku…” Kjo padi është pushuar nga prokuroria dhe me vendim gjykate, pretendimet e sekretarit socialist janë rrëzuar si të pavërteta dhe pabazuara në prova.

Në këtë padi të bërë nga Çollaku ndaj Ballës, në vendimin e marrë nga gjykata me 12 tetor të vitit 2020, dy vite e një ditë pas kallzimit, ndër të tjera thuhet se:

“Pala e paditur, edhe pse ka deklaruar që ka informacione, në këtë gjykim nuk paraqiti të tilla mbi të cilat mund të gjykohej, mbi deklarimin e bërë prej tij…” Pala paditëse paraqiti në gjykim vendimin penal nr 3152/18.09.2019, të Gjykatës së rrethit gjyqsor Tiranë, në të cilin Prokuroria i ka bërë kërkesë gjykatës të pushojë procedimin penal për veprat penale, kallzim i rremë dhe shpërdorim detyre dhe kjo e fundit ka vendosur pushimin e çështjes për këtë procedim penal.

Më tej në vendim, në faqen nr 13 të tij, Gjykata shprehet se:

Në mungesë të provave të palës së paditur dhe ndodhur para provave të palës paditëse, që vërtetojnë se ai nuk është përfshirë në inskenim në këmbim të parave, rezulton e provuar, se informacioni, fakti i publikuar, i përçuar te publiku nëpërmjet deklarimeve të palës së paditur, në emisionin e datës 27 shtator 2018, nuk është i vërtetë. Për sa më sipër, provohet se jemi para veprimeve të paligjshme të palës së paditur, në ushtrimin e lirisë së shprehjes të materializuara në përçuarjen pranë publikut të gjerë, të informacioneve/fakteve të pavërteta, që si të tilla cënojnë të drejtat absolute të personalitetit të paditësit. Në arsyetimin e saj Gjykata çmon se, “Ndodhur përpara ekzistencës së dëmit moral, si një prezumim ligjor, faktit të paligjshëm, lidhjes shkaksore mes tij dhe dëmit moral të shkaktuar paditësit, sipas parimit të rregullsisë shkaksore, gjykata çmon se kërkimi i paditësit mbi shpërblimin e këtij dëmi, është tërësisht i mbështetur në ligj e në prova dhe si i tillë duhet të pranohet…”

Në përfundim Gjykata ka vendosur; Pranimin e kërkesëpadisë si më poshtë:

“Detyrimin e palës së paditur, Taulant Balla, të dënmshpërblejë palën paditëse Basir Çollaku, me vlerën 200 mijë lekë të reja, për dëmin jopasuror, dëm moral, shkaktuar tij, nga deklarimi i datës 27 shtator 2018, në emisionin Opinion në Tv Klan.

Rrëzimin e kërkesëpadisë për pjesën tjetër.

Vendimi i zbatueshëm nga përmbaruesi gjyqsor. Shpenzimet gjyqsore të padisë, i ngarkohen palës së paditur në masaën e padisë së pranuar nga Gjykata. Kundër vendimit bëhet ankimim brenda 15 ditëve. ..”

Përballja që solli këtë proces gjyqsor, ka në themel intervistën e ish-oficerit të policisë Emiljano Nuhu. Në këtë intervistë deklarohej se Taulant Balla ka qenë i pranishëm në postën e policisë në Fushë-Krujë, bashkë me kryebashkiakun e Krujës Artur Bushi, kur oficerit Emiljano Nuhu, në zyrën e tij i është vënë pistoleta në kokë nga vëllai i deputetit, Rrahman Rrahja, që gjendej edhe vet prezent, sipas deklarimeve të agjentit të policisë, Kjo çështje sigurisht do të vijojë dhe në shkallë të tjera të gjyqësorit, brenda dhe jashtë vendit, deri në një vendim të formës së prerë. Ky vendim, ka një rëndësi pasi përballja e medias me pishtetin politik, me gjithë trysninë në sfond të procesit, nuk bën fitues pushtetarët që rendin pas të pavërtetës.

Të ngjashme