Kryefjala Logo

Detaje/ Si u grabit banesa e ish kreut të Tatimeve në Elbasan. Pretendimet e familjarëve

3 Nëntor, 2020 | 12:35 pm

Banesa e ish-kreut të Tatimeve në Elbasan ka rënë pre e grabitësve mbrëmjen e datës 31 tetor, ndërsa kanë marrë një sasi të konsiderueshme parash.
Sipas informacioneve nga uniformat blu, mësohet se ngjarja ka ndodhur në fshatin Shirgjan, Elbasan, aty ku edhe banon familja e Hyqmet Lleshit. Po ashtu, banesa mësohet se ishte e pajisur me sistem alarmi, por edhe pse sinjali i alarmit ka rënë, kompania që e kishte nën mbikëqyrje objektin nuk ka reaguar në kohë, duke ngjallur kështu dyshime te familja e grabitur.

Familjarët e ish-kreut të Tatimeve kanë pretenduar në Polici se janë grabitur 12.500 paund ose rreth 15 milionë lekë të vjetër, shkruan Panorama.

Sipas informacioneve të Policisë, autorët e kësaj ngjarjeje dyshohet të kenë qenë më shumë se një person dhe të pajisur me maska. Ka dyshime që autorët ende të paidentifikuar të ishin vënë në dijeni për lëvizjen e pjesëtarëve të familjes Lleshi, ndërsa janë vënë në lëvizje në momentin kur në banesë nuk gjendje askush.
Ata kanë hyrë në ambientet e brendshme të shtëpisë duke thyer xhamin e një dritareje. Në këtë moment dyshohet të ketë rënë edhe sistemi i alarmit, i cili ishte i instaluar në banesë. Por kompania e cila kujdesej për këtë, e ka dhënë njoftimin pak kohë më vonë, kur hajdutët e kishin kryer “punën” e tyre.

Të ngjashme