Lajme
Gazetari Flavio Qarri ngre dyshime: Olsi Ibro i mikrokredive u vetëvra apo u vra?
20 Korrik, 2024 | 12:37 pm

Prej ditësh në media po përflitet për skandalin e mikrokredive, pas ankesave të shumë qytetarëve. Nisur nga kjo Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar dy shoqëritë Micro Credit Albania dhe Final, të cilat akuzohen se kanë krijuar skema mashtrimi me mikrokreditë me qëllim zhvatjen e qytetarëve.
Mëngjesin e sotëm në të gjitha mediat është raportuar, sipas raportit të Policisë se njëri prej të akuzuarve Olsi Ibro është vethedhur nga një pallat në ndërtim, duke gjetur vdekjen. Por në anën tjetër gazetari i Syri TV Flavio Qarri nëpërmjet një postimi në Facebook ngre të tjera dyshime.
“Unë nuk i kam qejf teoritë konspirative. Ama. Olsi lbro nuk më dukej dikush me aq ndjeshmëri e ndërgjegjje sa për shkak të tragjedive që ka shkaktuar te qytetarët e pambrojtur të vetëhidhej. Kompanitë e tij e kanë tentuar dhe me mua personalisht. Pasi u përpoqa me dokumenta t’i bindja që nuk i detyrohesha gjë askujt, u detyrova të zgjedh një rrugë tjetër. Sidoqoftë e zgjidha hallin tim. Mijëra të tjerë jo. Dikush si Olsi Ibro e dinë që ditën e parë ç’po bënte. Çdo shkrimi ndaj tij i është gjegjur gjithmonë me arrogancë e moskokëçarje. Menefregizëm që buronte nga kontaktet e tij në Bankën e Shqipërisë dhe Qeveri. Pyetja që mbetet është kujt i interesonte më shumë që të hidhej nga pallati? Bankës apo Qeverisë?”- shkruan gazetari.

















































