Showbiz
Festivali 64′ është gati. Elhaida Dani prezanton në spot përgatitjet e fundit dhe paisjen me bileta për eventin madhështor të muzikës në Pallatin e Kongreseve
11 Dhjetor, 2025 | 7:17 pm

Përgatitjet për Festivalin e 64-të të Këngës në RTSH kanë hyrë në momentet më vendimtare, ndërsa sot publiku u surprizua me publikimin e një spoti modern, futuristik dhe vizualisht imponues. Në qendër të tij shfaqet Elhaida Dani, drejtoresha artistike e këtij edicioni, e cila transmeton profesionalizëm, elegancë dhe energji të re për festivalin më të rëndësishëm të muzikës shqiptare.
Në videon promocionale — nga e cila është shkëputur edhe fotografia e mësipërme — Elhaida vjen me një imazh të rafinuar dhe bashkëkohor, duke e prezantuar festivalin si një event që synon të çojë më lart standardet vizuale dhe muzikore të RTSH-së. Prania e saj në këtë spot shihet nga publiku si një premtim për një festival novator, të kuruar në detaje artistike dhe të orientuar drejt risive.
Ndërkohë, në prapaskenë puna vazhdon pa ndalim. Burime nga RTSH konfirmojnë se skenografia e festivalit ka përfunduar plotësisht dhe tashmë po nisin proceset intensive të montimit në Pallatin e Kongreseve. Strukturat do të ngrihen, dritat do të vendosen në pozicionet e tyre finale, ndërsa orkestra do të zhvendoset së shpejti për të nisur provat në ambientet e reja.
Festivali i 64-të do të zhvillohet në datat 17, 18, 19 dhe 20 dhjetor, duke premtuar një edicion që nuk duhet humbur, me një koncept skenik dhe muzikor që synon të sjellë ndjesi të reja për publikun dhe artistët pjesëmarrës.
Produksioni u bën thirrje të gjithëve:
“Nxitoni të prenotoni biletat tuaja. Ju presim për një edicion unik, të paharrueshëm!”
Biletat janë tashmë në shitje në: Myticket.al.










































