Kryefjala Logo

Alis flet pas fitores në Fest 64: Ende nuk më besohet

21 Dhjetor, 2025 | 7:19 pm

Kënga “Nan” u shpall fituese e Festivalit të 64-të të Këngës në RTSH, duke i dhuruar artistit Alis një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së tij muzikore. Fitorja u përcaktua nga kombinimi i votave të jurisë profesioniste dhe votimit me SMS nga publiku në Shqipëri dhe Kosovë.

Menjëherë pas finales, në emisionin Post Fest 64, Alis ndau emocionet e forta që përjetoi pas shpalljes së rezultatit, duke e cilësuar këtë sukses si realizimin e një ëndrre të madhe.

“Jam njeriu më i lumtur në botë dhe ende nuk më besohet. Më është bërë ëndrra realitet. Qershia mbi tortë ishte përqafimi i publikut, që nuk e prisja në këtë masë. E dija që do të më mbështesnin, por jo kështu. Ishte një surprizë e jashtëzakonshme dhe kam mbetur pa fjalë”, u shpreh këngëtari.

Në renditjen finale, vendin e dytë e zuri Inis Neziri me këngën “Ta kam fal”, ndërsa vendin e tretë Sheila me “Zemra e tokës”. Vendin e katërt e rrëmbeu dueti Fifi & Tiri Gjoci me këngën “Rri”, ndërsa top 5-shja u plotësua nga Vedat Ademi me “Kur fjala mbaron”.

Pas kësaj fitoreje, Shqipëria tashmë ka përfaqësuesin e saj në Eurovision Song Contest 2026, i cili do të mbahet në Vjenë, Austri, pas fitores së vitit të kaluar nga JJ me këngën “Wasted Love”. Konkursi europian i këngës do të zhvillohet më 12, 14 dhe 16 maj.

Të ngjashme