Showbiz
Bota e filmit në zi, shuhet “gruaja e pëllumbave” e “Home Alone 2”, Brenda Fricker
17 Korrik, 2026 | 6:11 pm

Bota e filmit është në zi pas ndarjes nga jeta të aktores së njohur irlandeze Brenda Fricker, e cila u shua në moshën 81-vjeçare. Me një karrierë që zgjati për më shumë se pesë dekada, ajo la pas një trashëgimi të pasur në kinematografi dhe televizion.
Brenda Fricker hyri në histori në vitin 1990, kur u bë aktorja e parë irlandeze që fitoi çmimin Oscar për Aktoren më të Mirë në Rol Dytësor, falë interpretimit të saj në filmin “My Left Foot”, ku luajti nënën e personazhit të Daniel Day-Lewis.
Për miliona shikues në mbarë botën, Fricker do të kujtohet edhe për rolin e gruas së pastrehë në filmin “Home Alone 2”, ku krijoi një nga momentet më prekëse të filmit përkrah personazhit Kevin, të interpretuar nga Macaulay Culkin.
Karriera e saj përfshiu edhe role të rëndësishme në serialin britanik “Casualty”, si dhe në filma të njohur si “So I Married an Axe Murderer”, “Angels in the Outfield”, “A Time to Kill” dhe “Veronica Guerin”.
Lajmi për vdekjen e saj u konfirmua nga agjenti Phil Belfield, i cili e përshkroi Fricker si një artiste të jashtëzakonshme.
“Bota është më e vogël pa të,” u shpreh ai, duke vlerësuar kontributin dhe ndikimin që aktorja pati në industrinë e filmit.
E lindur në Dublin, Brenda Fricker nisi karrierën në vitet ’60 dhe u shndërrua në një nga figurat më të respektuara të kinemasë irlandeze. Me largimin e saj, arti humbet një aktore që do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e publikut.












































