Showbiz
“Isha i tharë”, Agron Llakaj kujton me humor ditën e dasmës
8 Korrik, 2026 | 8:42 pm

Aktori i njohur Agron Llakaj ishte i ftuar mbrëmjen e djeshme në “Top Arena”, ku ndau disa nga kujtimet më të veçanta të jetës së tij.
Teksa në ekran u shfaq një fotografi nga dita e dasmës me bashkëshorten e ndjerë, Kostandinën, ai e kujtoi atë moment me humor.
“Atëherë i thoshin Kostandinës: ‘Ku e gjete moj?’, se isha i tharë,” u shpreh ai mes të qeshurash.

Agroni tregoi se ceremonia e martesës ishte organizuar në Memaliaj, në oborrin e shtëpisë, me rreth 40 të ftuar dhe pa orkestër.
“E bëmë te bahçja e shtëpisë. Ishim rreth 40 veta, pa orkestër, këndonim vetë. Pastaj në jetë, Kostandinës i doli mirë,” tha ai, duke kujtuar me mall vitet e kaluara së bashku.
Aktori ndau edhe një episod të këndshëm nga jeta bashkëshortore, duke treguar se ai ka qenë gjithmonë shumë korrekt me oraret, ndërsa Kostandina ishte krejt e kundërta.
Ai rrëfeu se një fundjavë, pasi kishte pritur gjatë që ajo të bëhej gati për t’u nisur drejt Vlorës, kishte shpërthyer në sharje. Por sapo mbërritën në destinacion, Kostandina e pyeti me humor nëse i kishin mbetur ende sharje, për t’i treguar më pas se kishte harruar çelësat e shtëpisë.
Rrëfimi i Agron Llakajt solli emocione dhe të qeshura njëkohësisht, duke treguar edhe një herë dashurinë dhe kujtimet e bukura që ai vazhdon të ruajë për bashkëshorten e tij të ndjerë.










































