Showbiz
Eugent Bushpepa elektrizon Zvicrën: Hap koncertin e Judas Priest para mbi 40 mijë spektatorësh
4 Janar, 2026 | 6:41 pm

Këngëtari i njohur shqiptar, Eugent Bushpepa, ka shënuar një tjetër moment kulmor në karrierën e tij ndërkombëtare, duke performuar në një nga skenat më të mëdha të Zvicrës, Hallenstadion, përpara një audience gjigante prej mbi 40 mijë vetash.
Artisti nga Rrësheni u ngjit në skenë për të hapur koncertin e legjendave britanike të rock-ut, Judas Priest, duke sjellë një performancë të fuqishme dhe plot energji, e cila u prit me entuziazëm të madh nga publiku zviceran dhe fansat e rock-ut nga vende të ndryshme të Europës.
Ky bashkëpunim dhe kjo paraqitje në një skenë kaq prestigjioze përbëjnë një tjetër dëshmi të qartë se Eugent Bushpepa është tashmë një emër që kapërcen kufijtë kombëtarë. Zëri i tij karakteristik, prania skenike dhe profesionalizmi e kanë pozicionuar prej kohësh si një nga artistët shqiptarë më të respektuar në arenën ndërkombëtare.
Në lidhje me zërat që qarkullojnë se Bushpepa është larguar përfundimisht nga Shqipëria, burime pranë artistit bëjnë të ditur se kjo nuk është aspak e vërtetë. Ai vijon të pranojë ftesa për performanca në çdo cep të globit, gjë që është krejt normale për një artist të këtij niveli, fama e të cilit tashmë po shtrihet përtej Shqipërisë dhe Ballkanit, drejt skenave të mëdha europiane.
Ky koncert në Zvicër është edhe një tjetër provë se muzika shqiptare mund të ngjitet denjësisht në podiumet më të rëndësishme të botës, me Eugent Bushpepën si një nga ambasadorët e saj më të spikatur.














































