Kryefjala Logo

Nga dhuna familjare te mbijetesa: Bia rrëfen plagët e jetës në BB VIP Kosova

3 Janar, 2026 | 12:06 am

Banorja e Big Brother VIP Kosova 4, Bia, ka prekur publikun me rrëfimin e saj të fortë gjatë prezantimit të “linjës së jetës”.

Ajo tregoi se është rritur në rrethana tejet të vështira familjare, duke përjetuar dhunë të vazhdueshme nga i ati, si ndaj saj ashtu edhe ndaj vëllait. Sipas saj, situata e rëndë bëri që nëna të merrte vendimin për t’i dhënë fund martesës dhe të largohej me fëmijët jashtë vendit.

“Vij nga një familje tradicionale rumune. Jeta ime nuk ka qenë kurrë e lehtë. Babai ishte agresiv, fillimisht me nënën dhe më pas me mua dhe vëllain tim. Dhuna ka qenë e pranishme që kur isha shumë e vogël,” rrëfeu ajo me emocion.

Familja u shpërngul fillimisht në Itali, ndërsa më pas jeta e Bia-s kaloi mes ndarjesh të dhimbshme dhe lëvizjeve të shpeshta mes vendeve. Një nga momentet më traumatike, sipas saj, ishte ndarja nga vëllai, kur ajo u mor nga i ati dhe u shkëput nga pjesa tjetër e familjes.

Më pas, ajo tregoi se adoleshenca e saj u shënua nga mungesa e stabilitetit dhe mbështetjes familjare. Në moshë të re, Bia u përball me nevojën për të siguruar vetë jetesën dhe foli për herë të parë hapur për angazhimin e saj në një platformë online, të cilën e përshkroi si një pikë kthese financiare në jetën e saj. Ajo theksoi se ky vendim i ndryshoi rrjedhën e jetës dhe se nuk ndjen pendesë për zgjedhjet e bëra.

Rrëfimi u bë edhe më i dhimbshëm kur Bia zbuloi ndarjen nga nëna dhe faktin se nuk kishte pasur mundësi ta takonte atë në momentet e fundit të jetës së saj, edhe pse kishte vetëm 24 orë kohë.

Në fund, banorja u shpreh se ndihet krenare për forcën që ka gjetur për të vazhduar përpara, por pranoi se e pikëllon fakti që, sipas saj, jashtë shtëpisë së BBVK nuk ka askënd që e pret.

Të ngjashme