Kryefjala Logo

Orkestra Simfonike e RTSH-së solli nën kujdesin e Eni Vasilit mbrëmjen Gala “The Show Must Go On”, një festë emocionesh dhe muzike madhështore

23 Dhjetor, 2025 | 2:52 pm

Orkestra Simfonike e RTSH-së solli mbrëmjen Koncertin Gala “The Show Must Go On”, duke krijuar një atmosferë festive, plot ngjyra dhe emocione për publikun e gjerë. Mbrëmja muzikore u kthye në një spektakël të vërtetë artistik, ku u ndërthurën kolonat zanore të filmave më të njohur botërorë me hitet ikonike të grupeve legjendare të rock-ut, të interpretuara me profesionalizëm dhe ndjeshmëri të lartë artistike.

Në qendër të vëmendjes ishin interpretimet e Kamelës Islamaj, Martin Pano dhe sopranos Erinda Agolli, të cilët, të shoqëruar nga Orkestra Simfonike e RTSH-së, përcollën emocione të forta dhe momente të paharrueshme për publikun. Çdo interpretim u prit me entuziazëm, duke dëshmuar edhe një herë fuqinë që ka muzika për të bashkuar breza dhe shije të ndryshme artistike.
Koncerti u realizua nën dirigjimin e Armand Broshkës, me drejtues band-i Roni Gjura dhe me pjesëmarrjen e Korit të Universitetit të Arteve, të drejtuar nga Bujar Alliu. Ky bashkëpunim solli një harmoni të veçantë në skenë, duke e kthyer mbrëmjen në një eksperiencë të plotë muzikore dhe emocionale.
Kjo mbrëmje madhështore u zhvillua nën kujdesin e drejtoreshës së përgjithshme të RTSH-së, znj. Eni Vasili, e cila u shfaq edhe mes Orkestrës Simfonike në një foto simbolike që pasqyron mbështetjen institucionale dhe respektin për artin dhe artistët.
Një festë muzikore që preku zemrat e publikut dhe konfirmoi edhe një herë rolin e RTSH-së si një shtyllë e rëndësishme e promovimit të kulturës dhe muzikës cilësore në vend.

Të ngjashme