Kryefjala Logo

U kapën me para në makinë para zgjedhjeve, jepet vendimi nga GJKKO

1 Qershor, 2021 | 10:54 am

Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në burg dy personat që u arrestuan para zgjedhjeve në Dibër, me një shumë të madhe parash në makinë, që dyshohet se do të përdoreshin për blerjen e votave.

Dy personat e arrestuar janë juristi i bashkisë Denis Xholi si dhe Albjon Ceku, aktivist i Partisë Socialiste pjesë e shtabit elektoral të kësaj force politike. Këta persona u ndaluan në hyrje të Maqellarës ku në makinën e tyre u gjet një shumë prej rreth 7 milionë lekësh të vjetra që dyshohet se do i përdornin për të blerë vota.

Çështja ndaj tyre është hetuar nga SPAK, pasi është pjesë e krimeve zgjedhore, që është kompetencë e prokurorisë më të lartë në vend.

Dy të pandehurit kishin kërkuar një masë më të butë në apel, por kërkesa e tyre nuk është pranuar.

Në makinën që u bllokua fillimisht nga mbështetës të PD-së u gjetën para dhe një listë me emrat e personave që do iu shpërndaheshin ato, në këmbim të votave për socialistët.

Policia fillimisht hezitoi të ndërhynte, por me sinjalizimin e mediave, ata hapën makinën ku qëndronin dy të pandehurit dhe gjetën brenda saj shumën e parave.

PD dhe opozita në tërësi kanë hedhur akuza të forta për manipulimin e votave të 25 Prillit, dhe një nga qarqet e përmendura prej tyre është pikërisht dhe ai i Dibrës.

 

Të ngjashme