Lajme nga vendi
Pranga 32-vjeçari në Rinas: Tentoi të udhëtonte nga aeroporti me dokumente të falsifikuar
29 Gusht, 2021 | 4:36 pm

Një 32-vjeçar është vënë në pranga nga Polica e Shtetit në Aeroportin e Tiranës për veprën penale “Falsifikim i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave.”
Shtetasi me iniciale Sh. B., 32 vjeç, në Pikën e Kontrollit Kufitar të Rinasit, ka paraqitur si dokument udhëtimi një kartë identiteti me gjeneralitetet B. H., 28 vjeç, dokument i cili pas verifikimeve paraprake doli se ishte i falsifikuar.
Gjatë kësaj të diele , policia ka kryer arrestimin edhe të 3 shtetasve të tjerë per vepra të ndryshme penale.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Vihen në pranga 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Rinas/ Paraqiti si dokument udhëtimi një kartë identiteti të falsifikuar, arrestohet në flagrancë 32-vjeçari.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
A. D., 58 vjeç, pasi në Kombinat, tek bar-kafe bilardo, në pronësi të shtetasit F. Ll., gjatë kontrollit fizik të ushtruar, iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një aparat celular i cili përdorej për të vendosur baste sportive;
E. H., 29 vjeç, pasi në “Misto Mame” gjatë kontrollit fizik të ushtruar në ambientet e një lokali, iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një aparat celular i cili përdorej për të vendosur baste sportive.
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar bënë ekzekutimin e urdhërit të prokurorit për shtetasin L. L., 37 vjeç, sepse Gjykata e Apelit Tiranë, ka vendosur dënimin me 2 muaj burg, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.
Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë arrestimi në flagrancë të shtetasit R. G., 36 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëjetuses së tij.
Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Rinas u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Falsifikim i leternjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” i shtetasit Sh. B., 32 vjeç, pasi në hyrje të PKK Rinas, i ka paraqitur si dokument udhetimi një kartë identiteti me gjeneralitetet e shtetasit B. H., 28 vjeç, dokument i cili pas verifikimeve paraprake rezultoi se është e falsifikuar.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të metejshme.



















































