Lajme nga vendi
Morën para për të operuar të dëmtuarin në ngjarjen e Velipojës, arrestohen dy mjekë
3 Korrik, 2021 | 12:11 pm

Dy mjekë të spitalit të “Traumës” në Tiranë janë arrestuar të akuzuar për korrupsion. Ata dyshohet se kanë para për kryerjen e një operacioni.
Të arrestuarit
Policia njoftoi se, strukturat hetimore të DVP Shkodër dhe të komisariatit të policisë Shkodër, me mbështetjen e forcës së Posaçme “Shqiponjat” të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e rrethit Shkodër, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Bisturia”.
Në kuadër të operacionit, u bë ndalimi për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”:
Serdi Memini, 34 vjeç, me profesion mjek kirurg ortoped pranë Spitalit Universitar të Traumës Tiranë
Ervin Sulaj, 45 vjeç, me profesion mjek anestezist reanimator pranë Spitalit Universitar të Traumës Tiranë.
Gjithashtu u bë ndalimi për veprën penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” i Fatbardh Dylit, 40 vjeç, banues në Shkodër.
Para për operacion
Ndalimi i tyre u bë për arsye se në ambientet e një qendre spitalore në Tiranë, pas një operacioni mjekësor që kirurgu Memini dhe anestezisti Sulaj i kanë bërë Elmilind Dylit, i plagosur mbrëmjen e datës 27 qershor në Velipojë, i ati i pacientit, Fatbardh Dyli dyshohet se iu ka dhënë të dy mjekëve një sasi parash për kryerjen e operacionit.
Pas kontrolleve të ushtruara, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale shumën 377.000 lekë të rinj dhe 55 euro.
Elmilind Dyli u plagos në “masakrën e Velipojës” ku katër persona mbetën të vdekur, pas një konflikti për ndarjen e shazlongëve. Ndaj 17-vjeçarit është caktuar masa e sigurisë së arrestit me burg.
Hetimet për rastin po kryer nga prokuroria e Shkodrës.



















































