Kryefjala Logo

Rritje për vitin 2020, One Telecommunications gati për të hedhur hapin e madh në tekonologjinë 5G

8 Prill, 2021 | 6:51 pm

Cilat ishin rezultatet kryesore të One Telecommunications për vitin 2020?

Viti që kaloi ishte ndër më të pazakontët, megjithatë vlerat njerëzore triumfuan dhe teknologjia zuri përherë e më tepër vend në jetën e përditshme. Natyrisht kufizimet e situatës ndikuan në mbarë ekonominë dhe në kompaninë tonë. Gjithsesi sot mund të shohim ecurinë e 2020 me qetësi dhe të veçojmë arritjet tona kryesore.

Në 2020 paraqitëm zyrtarisht brandin One Telecommunications, me një identitet të ri dhe vlera të reja që na drejtojnë në punën tonë. Përfunduam modernizimin e rrjetit tonë dhe tani mbulojmë 98.1% të popullsisë së vendit me teknologji 4G+. Kemi shënuar shpejtësinë 1.2 Gbps në rrjetin One Telecommunications. Kjo është shpejtësia më e lartë e regjistruar në rrjetet celulare në Shqipëri.

Ne e mbyllëm vitin 2020 me të ardhura prej 8 461 801 000 lekësh, në të njëjtat nivele si me vitin 2019. EBIDTA jonë është 2 587 745 000 lekë, ose 11.5 % më shumë se në vitin 2019. Sipas raportit të AKEP, ne arritëm që, gjatë vitit 2020, të rrisim pjesën tonë të tregut në të gjitha shërbimet celulare në 36.9 %, nga 32.6 % që ishte në 2019.

One Telecommunications është e para kompani në vend dhe rajon që u cilësua “kompani e pastër telekomunikacioni”, si pjesë e nismës “Rrjet i Pastër” të Departamentit Amerikan të Shtetit. Ne jemi të vetëdijshëm për besimin që klientët kanë tek ne, ndaj po investojmë në bashkëpunim me gjigantë botërorë, si Ericsson, për ta modernizuar rrjetin tonë dhe për ta bërë më të sigurtin e mundshëm. Klientët tanë, organizatat dhe institucionet e ndryshme janë përfituesit e një rrjeti që përmbush standardet ndërkombëtare për sigurinë e komunikimit.

Në të njëjtën kohë, të rinjtë dhe profesionistët tashmë mund të zgjedhin mes planeve tona me parapagim “Unlimited”, që kanë teknologji 4G+ dhe kohë bisede pa limit në disa prej kategorive. Klientët me kontratë mund të bëhen pjesë e planeve One dhe të gëzojnë përfitimet më të mëdha në treg, ku përfshihet internet pa limit. Së fundmi, klientët mund të zgjedhin një celular në dyqanet One dhe ta paguajnë muaj pas muaji, bashkë me planin tarifor. Dyqanet tona të rimodeluara janë kthyer në pikë referimi për gjithçka lidhet me komunikimin dhe zgjidhjet e përshtatura sipas nevojës së klientit.

Çfarë ndikimi ka pasur deri tani pandemia në biznesin e komunikimeve elektronike në Shqipëri?

Efekti është i konsiderueshëm dhe shtrihet në disa aspekte të jetës dhe veprimtarisë. Pandemia ka shpejtuar disa plane dhe nisma që kishin filluar më parë. Kompanitë u detyruan që, brenda shumë pak kohe, të dixhitalizonin proceset e brendshme dhe të ndryshonin mënyrën e operimit. Kompanitë u bënë më virtuale, si duke u dhënë punonjësve infrastrukturën elektronike për të punuar nga shtëpia, ashtu edhe duke ofruar përherë e më shumë shërbime për abonentët në kanalet dixhitale. Njësitë fizike të shërbimit mbeten të preferuarat e klientëve, megjithatë kanalet dixhitale luajnë rol tepër të rëndësishëm në kushtet e sotme. Covid 19 ndryshoi aktivitetin e biznesit dhe sjelljen e klientit. Masat e marra dhe kufizimet kanë ndryshuar me shpejtësi në fillimet e pandemisë, kryesisht për shkak të paparashikueshmërisë së saj, ndaj bizneset dhe klientët nuk kishin mundësi përshtatjeje. Kompanitë e telekomunikacionit u prekën, si çdo biznes tjetër në vend. Ne vumë re ulje të të ardhurave për shkak të ndryshimit të sjelljes së klientëve, të cilët u bënë më të kujdesshëm në zgjedhjet që bënin. Në shtator 2020 filloi një trend pozitiv i rimëkëmbjes së tregut dhe mendoj se normaliteti do të kthehet duke filluar nga fillimi i kësaj vere.

One Telecommunications është i vetmi mes tre operatorëve më të mëdhenj që nuk disponon një infrastrukturë të rrjeteve fikse. Mendoni se ky është një dizavantazh konkurrues për ju? Keni projekte të konvergjencës me rrjetet fikse, në rrugën që kanë ndjekur edhe operatorët e tjerë?

Tani për tani jemi të fokusuar tek telefonia e lëvizshme. Planet tona tarifore ofrojnë sasi dhe shpejtësi të mjaftueshme lundrimi në internet. Nëse studiojmë zhvillimin e telefonisë fikse dhe teknologjitë që përdoren në Shqipëri, mendoj se jemi konkurrues edhe duke përdorur vetëm rrjetin e lëvizshëm. Në vitin 2020 sollëm në treg produktin Homenet, që punon me rrjetin e lëvizshëm dhe është pritur mjaft mirë nga klientët. Megjithatë jemi të hapur për produkte të ardhshme në fushën e telefonisë fikse. Jemi në dijeni të strategjisë së qeverisë për aksesin në brezin e gjerë të gjeneratës së ardhshme dhe synojmë të marrim pjesë në zbatimin e saj.

Në vitet e fundit, përfitueshmëria e operatorëve celularë në tregun shqiptar ka pësuar gradualisht një rënie të ndjeshme. A jeni të kënaqur me fitimet që siguron aktualisht aktiviteti juaj dhe besoni se ato mund të mbështesin investimet e nevojshme në rrjete dhe teknologji?

Është e vërtetë se marzhi i fitimit në Shqipëri është i ulët, madje ndër më të ulëtit në rajon. Me vullnetin për të investuar, ne po përpiqemi të rrisim marzhin e fitimit duke e bërë sa më efikas aktivitetin operacional dhe duke përmirësuar cilësinë e shërbimit. Por nuk mund të vazhdojmë kështu gjithmonë. Optimizimi i kostove nën një nivel të caktuar do të rrezikonte në mënyrë të pashmangshme cilësinë e shërbimit që u ofrojmë klientëve. Historikisht Shqipëria renditet pas fqinjëve përsa u përket teknologjisë së re dhe ofrimit të shërbimeve. Për të shmangur të njëjtën situatë me teknologjitë në vijim, bëhet e qartë që operatorët dhe autoritetet duhet të gjejnë mënyra të tjera për të shtuar marzhin e fitimit, në mënyrë që investimet të kryhen në kohën e duhur.

Mendoni se tregu shqiptar është gati për të hedhur hapin e radhës në teknologjinë 5G? Çfarë ndryshimesh mund të sjellë 5G në shërbimet për përdoruesit, por edhe në kuptimin e mënyrës sesi operatorët konkurrojnë me njëri-tjetrin?

Ne jemi gati nga ana teknologjike. Rrjeti ynë është i gatshëm për 5G. Do të na nevojiten vetëm licensat e programeve që të aktivizojmë shërbimet 5G. Përmenda që ne kemi shqyrtuar çdo mundësi për rritur marzhin e fitimit dhe për të investuar, kështu që nga ana e saj, qeveria duhet të gjejë mënyra për të stimuluar industrinë që të investojë në teknologjinë 5G.

Pajisjet fundore 5G ende nuk janë shumë të përhapura, por trendi është duke ndryshuar. Teknologjia 5G pritet të shkaktojë ndryshime rrënjësore. Me karakteristika kryesore shpejtësinë deri në 10 Gbps, vonesën prej më pak se 1 ms dhe kapacitetin e jashtëzakonshëm për pajisje të lidhura (interneti i gjërave), 5G do të ndryshojë çdo aspekt të jetës. Kjo teknologji do të përdoret nga konsumatorët, por do t’u shërbejë së tepërmi edhe bizneseve, p.sh. për automatizimin e prodhimit, matjen dhe mbledhjen e informacionit, komandimin në distancë të makinerive dhe përdorime të tjera. Pengesa për përhapjen masive të 5G mbetet çmimi i lartë për këto aplikime dhe pajisje. Për këtë arsye, klientët ngurrojnë të paguajnë për shërbimet 5G. Në çmimin e teknologjisë 5G luajnë rol prodhuesit e pajisjeve, si edhe shteti. Një pjesë të madhe të kostos së shërbimeve 5G do ta shkaktojë çmimi i frekuencave, ndaj do ta vlerësonim një politikë të drejtë çmimesh të frekuencave nga ana e shtetit.

Ju jeni aktualisht operatori i dytë më i madh në shërbimet e komunikimit të lëvizshëm. Cilat janë objektivat tuaj komercialë për vitet në vazhdim dhe cili besoni se do të jetë çelësi për të fituar më shumë pjesë tregu?

Ne jemi operatori i parë i telefonisë së lëvizshme në Shqipëri dhe, përgjatë udhëtimit tonë, kemi sjellë risi të vazhdueshme teknologjike dhe një përvojë të shkëlqyer klienti në pikat tona të kontaktit. Edhe brezin aktual të frekuencave 4G+ e kemi ofruar të parët, me shpejtësi dhe mbulim të pakrahasueshëm, si edhe me teknologjinë VoLTE për një cilësi zëri të kristaltë. Gjithashtu për herë të parë, në dyqanet tona gjen pajisje komunikimi nga më të ndryshmet, të përballueshme nga çdo nivel buxheti, të cilat madje mund të blihen edhe me këste mujore. Ne dëshirojmë që çdo ditë ta bëjmë më të mirë për abonentët, për punonjësit dhe partnerët tanë. Çelësi për t’ia arritur është transparenca me klientët dhe vlera që u japim për secilin produkt apo shërbim tonin. Nisur nga këto zhvillime dhe kapacitetet tona njerëzore e teknologjike, jam i bindur se do të bëhemi operatori i preferuar i shqiptarëve.

Monitor

Të ngjashme