Kryefjala Logo

U bë “oriz”/ Çfarë thotë letërporosia nga Greqia për 137 kg kokainë të nisura nga Ekuadori drejt Shqipërisë

10 Nëntor, 2020 | 9:52 am

Autoritetet greke të cilat sekuestruan 137 kg kokainë që vinte nga Ekuadori me destinacion Shqipërinë nuk janë treguar indiferentë, përderisa i janë përgjigjur interesimit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar duke përcjellë informacion lidhur me çështjen.
Sipas informacioneve nga Ministria e Drejtësisë, disa javë më parë mbërriti përgjigja e letërporosisë në lidhje me bllokimin e sasisë së madhe të kokainës në portin e Pireut në Athinë, sasi që u zëvendësua me oriz dhe u lejua të mbërrinte deri në Durrës.

Burimet janë tejet të rezervuara në lidhje me informacionet e mbërritura për faktin nëse në trafik janë përfshirë persona të tjerë nga Shqipëria, krahas Gentian Malindit që është në kërkim dhe Altin Myslihakës e Ardian Begës që ndodhen nën arrest, përderisa nxorën ngarkesën nga porti.
Burime pranë dikasterit të drejtësisë konfirmuan faktin se në letërporosi janë shpjeguar të gjitha procedurat e ndjekura që nga momenti që është pikasur droga në 4 kontenierët e ngarkuar me banane, zëvendësimi me oriz e deri tek vendimi për të lejuar lëvizjen e ngarkesës me dorëzim të kontrolluar.
Autoritetet greke kanë konfirmuar faktin se duke qenë se kontenierët ku ishte fshehur droga u kapën në kohë të ndryshme, janë çelur dy çështje hetimore, por emrat e personave të përfshirë në trafikun ndërkombëtar mbahen sekret.
Sasia e madhe e drogës e vendosur në 4 kontenierë frigoriferikë që trasportonin banane për llogari të një kompanie në pronësi të një biznesmeni nga Vlora, u zbulua në portin e Pireut.
Rezultoi se trafikantët u kishin vendosur GPS pakove me kokainë të nisura nga Ekuadori drejt Shqipërisë.
Mes autoriteteve të dy vendeve u ra dakord që droga të hiqej dhe të zëvendësohej me oriz.
Ngarkesa u lejua të mbërrinte në Durrës, ku sipas prokurorisë Gentian Malindi në bashkëpunim me dy të pandehurit e tjerë Myslihaka dhe Bega, ky i fundit punonjës në port, i morën pakot, por në momentin që kuptuan se brenda tyre nuk kishte kokainë i hodhën në mes të rrugës dhe u larguan.
Malindi ia doli t’i shpëtonte policisë, edhe pse ishte në ndjekje nga uniformat blu.
Ndërsa dy të tjerët vijojnë të mbahen në paraburgim derisa drejtësia të thotë fjalën e saj.

Të ngjashme