Kryefjala Logo

“Sami Frashëri”, LSI kallëzon në prokurori Erion Veliajn

6 Nëntor, 2020 | 6:35 pm

Lëvizja Socialiste për Integrim ka kallëzuar penalisht kryetarin e Bashkisë, Erion Veliaj në lidhje me truallin e shkollës së mesme “Sami Frashëri”.
Padia u depozitua mesditën e sotme në Prokurorinë e Tiranës, nëpërmjet ish-deputetes Floida Kërpaçi.

Disa ditë më parë, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, publikoi dokumentet me të cilat ka akuzuar Bashkinë e Tiranës se ka tjetërsuar tokën ku ishte ndërtuar gjimnazi “Sami Frashëri”.
Kryemadhi apeloi Prokurorinë që të zbardhë këtë rast të cilin e konsideroi si shkelje të ligjit.
Fjala e Floida Kërpaçit në Prokurorinë e Tiranës
Përshëndetje!
Kemi ardhur te Prokuroria e Tiranës ku sapo depozituam një kallëzim për çështjen e truallit të shkollës ‘Sami Frashëri’. Dokumentat që ne disponojmë vërtetojnë akuzën e bërë disa ditë më parë nga Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim,. Monika Kryemadhi.
Dokumentat që ne kemi tregojnë që me kartelat e pronësisë së truallit të shkollës ‘Sami Frashëri’ është ndërhyrë disa herë duke ndryshuar pronësinë nga shteti në listë bashkëpronarësh dhe anasjelltas.
Ne jemi këtu për t’i kërkuar Prokurorisë së Tiranës të zbulojë kush ka ndërhyrë në kartelën e pronësisë të kësaj prone publike dhe cili ka qenë synimi i personave që kanë ndërhyrë.
Të jetë e qartë për të gjithë që Lëvizja Socialiste për Integrim nuk do të ndalet së thëni të vërtetën.
Siç shpëtuam shkollën ‘Sami Frashëri’ dhe do t’i shkojmë deri në fund që të mos lejojmë tjetërsimin e kësaj prone, po ashtu do të jemi në krah të qytetarëve të Kombinatit, të Durrësit ,të Shijakut e të gjithë Shqipërisë për të mos lejuar që qytetarët të jenë viktima të qeverisë së fasadave.

Të ngjashme