Lajme nga vendi
“Hajde me xhaxhin të të çoj diku” : Tentoi të abuzonte me të miturën, shpallet në kërkim i moshuari në Astir
2 vite më parë


Një ngjarje e mbetur në tentativë ka ndodhur në mbrëmjen e djeshme në Astir ku dyshohet se një vajzë e mitur është tentuar të përdhunohet nga një 60 vjecar i cili po e fuste pa dëshirën e saj në ashensorin e pallatit.
Nëna e të miturës me iniciale A.M ka shkuar menjëherë për të bërë denoncimin në Komisariatin e Policisë Nr. 6 në Tiranë. Nëna e të miturës ka thënë se nuk e njeh personin e moshuar, teksa mësohet se familja e vajzës jeton pranë vendit të njohur si “Vila L” në Astir.
“Vajza zbriti nga banesa me dy shoqet e saj. Një burrë i moshës rreth 60 vjeç e kapi nga krahu. E mori fillimisht me të mira duke e ftuar gocën ta shoqëronte. Më pas i tha “hajde me xhaxhin të të çoj diku”. Vajza sapo është larguar prej tij, ma rrëfeu çfarë kishte ndodhur. Erdha në komisariat të bëj denoncimin. Nuk e njoh personin abuzues, se kam parë kurrë edhe në lagje”, thotë në dëshminë e saj nëna e të miturës.
Edhe vajza e mitur është marrë në pyetje në praninë e nënës, xhaxhait dhe një psikologu, teksa ka treguar se çfarë ka ndodhur.
“Më tha mua më ço deri në katin e pestë. Deshi të më fuste në ashensor, nuk e njihja dhe më kapi paniku. Ai më mbante për dore dhe iu shkëputa duke vrapuar. Të njëjtën gjë bëri edhe me dy shoqet e mia, janë moshatare me mua por edhe ato vrapuan pas meje të tmerruara”, tregoi vajza e mitur në polici.
Grupi i Hetimit do të sigurojë të gjitha kamerat e sigurisë në pallatin ku ndodhi ngjarja për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e burrit të moshuar.