Kryefjala Logo

DILEMA QË NUK DUHEJ TË EKZISTONTE: SHQIPËRIA NË EUROPË APO NË GROPË?!

2 Nëntor, 2020 | 4:52 pm

 

Nga Gentian Çala*

Presidenti Meta në një nga daljet e fundit në media theksoi me forcë se Shqipëria është në udhëkryq në rrugëtimin e integrimit, ku qartësisht mazhoranca aktuale po punon për zgjatje e pushtetit me metoda jodemokratike duke penguar procesin integrues. Një vend i lënë enkas pa Gjykatë Kushtetuese, me Kod Zgjedhor të votuar njëanshmërisht nga mazhoranca, me qeverisje të kredhur në paligjshmëri dhe në korrupsion, janë “kryeveprat” e Rilindjes që po e zhysin Shqipërinë në gropën e vetmisë. Shqiptarët po goditen në aspiratën e tyre europiane të deklaruar fuqishëm që në vitet nëntëdhjetë.

Vetoja holandeze duket se është fillimi i krijimit të hendekut. Veç Serbisë, Malit të Zi, tashmë edhe Maqedonia e Veriut na le targën në procesin e integrimit, ku duket se vendet e tjera në Ballkan ecin, ndërsa ne mbesim në vend. Faturën e papërgjegjësisë së mazhorancës dhe të Edi Ramës po e paguajnë shqiptarët. Disa mendonin se pavarësisht të gjithave, Konferenca e negociatave BE-Shqipëri do të mbahej në dhjetor, por kjo nuk ka tashmë asnjë mundësi që të ndodhë. Unë ndihem i trishtuar për këtë fakt, sepse nuk mund të gëzohem kur vendi im nuk ecën përpara.

Tashmë është e qartë se kjo Qeveri, ky Kryeministër, kjo Mazhorancë dhe të gjitha ata që i mbështesin apo i justifikojnë në publik, duhet të ndihen të turpëruar se po i bëjnë Shqipërisë një dëm të rëndësishëm dhe njëkohësisht, duke e dobësuar atë, po rreshtohen me ose pa dashje në spektrin e atyre që nuk i duan shqiptarët. Pushteti i kujtdo individi apo grupimi nuk mund të vendoset mbi interesat e vendit. Dilema: Shqipëria në Europë apo në gropë, nuk duhej të ekzistonte. Atë e krijuan ata, që në 25 Prill 2021, do të ndëshkohen me votë, sepse projekti Shqipëria në Europë, nuk ka as alternativë dhe as nuk mund të zhbëhet!

* Dr. Gentian Çala është kryetar i LSI Pogradec

Të ngjashme