Kryefjala Logo

“Cicërimat patriotike” në Twitter për të fshehur me shoshë atë që po ndodh pranë spitaleve Covid

9 Nëntor, 2020 | 2:17 pm

Nga Aurel Rakipllari*

Ndërkohë që ambulancat kanë zënë rradha para Infektivit, për të marrë rolin e “spitalit lëvizës”, kryeministri Edi Rama vijon të tentojë të tërheqë vëmendjen me debate shterpë.
Teksa Covidi po bën namin në vend, me spitalet plot dhe me qytetarët që po zbraztin xhepat nga faturat e kripura të ilaçeve anti-virus, shefi I qeverisë bën rolin e “patriotit” duke u shqetësuar për votën pro të dy ish deputetëve shqiptarë sa i përket raportit të Dick Marty-t. Edhe pse shefja për marrëdhëniet me mediat në PD, Elona Meço sqaroi një ditë më parë gjithçka.
E thotë këtë njeriu i akuzuar nga ish kryeministri i Kosovës si i përfshirë në aferën e shkëmbimit të territoreve dhe njeriu që menjëherë pas padisë së Beogradit do të padiste me demek për “shpifje” ish kryeministrin në fjalë, që i nxorri të palat në shesh, Ramush Haradinajn.
Do mjaftonte fotoja e mësipërme, në çdo vend normal, që i pari i qeverisë të dilte e të jepte llogari për masat e mosmarra dhe për strategjinë e gabuar të ndjekur prej tij dhe qeverisë së tij për të luftuar pandeminë.
“Në 7 e gjysëm është nis nga Durrësi. Në orën 8, 9 ka ardhur këtu. E kanë futur në karrocën e ambulancës dhe e kanë lënë në korridor. Jam korridor, në karrocë, më tha mua”, rrëfente sot për mikrofonin e Ora News bashkëshortja e një pacienti te Infektivi.
“Me një numër mesatar rastesh mbi 400 në ditë (416 për saktësi) nëntori ka shkaktuar mbushjen e shpejtë të shtretërve spitalorë. Mesatarja ditore e vdekjeve të raportuara ka arritur 6.3 ose 60% më tepër se mesatarja e tetorit. Nëse tendenca vazhdon e papenguar, për pak ditë rrezikohet kolapsi i plotë i sistemit!, paralajmëron eksperti i shëndetit publik Erion Dasho.
Por në një vend ku qytetari trajtohet si dele, ku turpi hahet me bukë dhe kur çudia nuk zgjat më shumë se tre ditë, kreu i qeverisë e ka luksin të harxhojë kohën edhe me “cicërima” që nuk i hyjnë në punë askush.
Në një situatë të tillë, “patriotizmi” më i madh do të ishte rritja e numrit të testimeve, rritja e kapaciteteve spitalore, rimbursimi i ilaçeve anbti-Covid dhe shpërblimi i mjekëve dhe infermierëve.
Çdo patriotizëm tjetër, shterpë, i kotë, nuk i shërben as dreqit (përpos atij në Beograd).

Të ngjashme