Lajme nga vendi
Bulqize vijon demtimi nga termeti, shkon ne 62 numri i banesave te demtuar
31 Tetor, 2021 | 10:52 am
Bulqiza vijon të përballet me lëkundjet e tërmetit. Brenda 48 orëve janë shënuar 7 lëkundje tërmeti. Ndërkohë nga lëkundja e fuqishme e mëngjesit të së premtes e cila ishte me magnitudë 4.5 rihter numri i banesave të dëmtuara ka shkuar në 62 në të gjithë Bulqizën.
Banorët ndjehen të frikësuar dhe kërkojnë strehim në çadra pasi i druhen lëkundjeve me magnitudë më të lartë. Zamira Jakimi, banore e fshatit Shtushaj thotë se qëndrimi në banesë tashme është i pasigurt, ndaj kërkon ndihmën e autoriteteve të paktën për një çadër.
Për të parë nga afër dëmet e shkaktuara, ne terren doli dhe vete kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla. Ky i fundit bën të ditur se dëme janë shënuar pothuajse në të gjitha njësitë administrative, ku mes tyre veçohet dëmtimi i dy pallateve në Bulqizë dhe dy në Krastë.
Duke qenë se Bulqiza është zonë sizmike banorët po qëndrojnë në ankth nga frika e lëkundjeve më të forta. Tërmeti më i fortë ishte ai i mëngjesit të së premtes, me magnitudë 4.5 të shkallës Rihter, nga i cili mbetën të dëmtuara disa banesa.