Lajme nga vendi
Babai i 25 vjecarit qe u vra nga Policia: Dua drejtesi, me vrane djalin per masken!
9 Dhjetor, 2020 | 11:01 am
Babai i 25-vjeçarit Klodian Rasha, i cili u vra gjatë mesnatës së djeshme nga një efektv policie kërkon drejtësi për vrasjen e të birit.
Në një prononcim për gazetaren e ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ Dorjana Bezat, babai i viktimës, Qazim Rasha tha se policia është për të mbrojtur dhe jo për të vrarë.
“Dhimbja ime është edhe e juaja. Dhimbja ime është e të gjithëve, e çdo race, e çdo babe, e çdo nëne. Lind dhe rritet dhe të jep dhe të merr Zoti. Drejtësia të bëjë drejtësi. Mos të na vrasi çdo minutë. Mos të na vrasi. Jo të më vijë djali mua në rrugicë, dhe të më vritet tek rrugica e shtëpisë. Kush mund ta bëjë këtë?! Kush është ai polic?! Çfarë policie është ajo që të vret në derë të shtëpisë. Policia është për të mbrojtur, jo për të vrarë. Djali ishte duke punuar në llaç gjithë ditën në shtëpi dhe doli të marrë cigare. Për maskën iku dhe e vranë. Prisja ta martoja, jo ta çoja në arkivol.”, tha babai i viktimës mes lotëve dhe zerit që i dridhej nga dhimbja e madhe.