ANALIZA/ Pastrimi i parave, përse i bën keq ekonomisë dhe përse Shqipëria s’ka bërë asnjë hap përpara

1 vit më parë

Shqipëria është një vend problematik për pastrimin e parave. Përparimi është “0” thotë Departamenti Amerikan i Shtetit.

Autoritetet e kanë informacionin e nevojshëm. Ligjet për ta luftuar atë ekzistojnë. Por praktikisht nuk bëhet asgjë.

Paratë e pista, që vijnë kryesisht nga aktivitete kriminale, po lejohen për t’u investuar, kryesisht në ndërtim.

Shumë prej kullave që po ngrihen në Tiranë, ka dyshime se financohen nga këto para ilegale. Ekspertët thonë se futja e këtyre parave në ekonomi nuk është zhvillim, por një plagë e cila do të lëngojë gjatë.

Rreziku ekonomik që vjen nga qiellgërvishtësit, a ka nevojë Tirana për kaq shumë kulla? – Dosja AL

Shifrat nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin, pastrimi global i parave llogaritet diku midis 800 miliardë dhe 2 trilionë dollarë amerikanë çdo vit. Kjo është një 2-5% e PBB-së globale.

Çfarë është pastrimi i parave?

Pastrimi i parave është një proces që përdoret nga grupet kriminale, kryesisht të trafikut të drogës apo nga terroristët, për t’i legalizuar shumat marramendëse të parave që kanë fituar nga këto aktivitete.

Ekzistojnë dhjetëra mënyra të ndryshme për të bërë që këto para të duken sikur vijnë nga një burim i ligjshëm.

Fryrja e faturave të parave të një biznesi të ligjshëm si një kazino ose restorant, mbledhja e fondeve përmes lojërave virtuale ose pikave të basteve në internet, blerja apo shitja e kriptovalutave janë disa nga këto mënyra.

Në fund të procesit, fitimet e aktiviteteve kriminale bëhen të ligjshme.

Kostoja e pastrimit të parave për bizneset, ekonomitë dhe shoqërinë në tërësi është jashtëzakonisht e madhe dhe e gjerë.

Efektet e pastrimit të parave në biznes

Nëse një biznes kapet në aktivitetin e pastrimit të parave, pasojat janë serioze. Burg, gjoba të majme dhe mbyllje e biznesit janë pasojat e menjëhershme.

Efektet e pastrimit të parave në ekonomi

Pastrimi i parave zvogëlon të ardhurat nga taksat, pasi aktiviteti që zhvillohet në ekonominë informale është i padeklaruar. Ky fakt ka një ndikim negativ në ekonominë në tërësi dhe gjithashtu u jep bizneseve të paligjshme një avantazh të padrejtë konkurrues ndaj atyre që veprojnë në mënyrë të ligjshme.

Kur pastrimi i parave është arsyeja kryesore e një biznesi, gjenerimi i fitimit nëpërmjet aktivitetit të ligjshëm është dytësor dhe produktet shiten për më pak se kostoja e prodhimit, çka i vë në disavantazh bizneset e ligjshme.

Pastrimi i parave është gjithashtu shpesh një arsye pse bizneset produktive, të blera me qëllimin e vetëm të pastrimit të parave, bëhen joproduktive ose ‘sterile’. Efikasiteti në sektorin real të ekonomisë është zvogëluar.

Studimet tregojnë se krimi dhe korrupsioni veprojnë si një frenim në zhvillimin ekonomik, duke ngadalësuar rritjen ekonomike. Cikli i korrupsionit mund të jetë i vështirë për t’u thyer dhe shpesh kërkon ndihmë nga bashkësia ndërkombëtare.

Paratë e pista gjithashtu mund të shkaktojnë paqëndrueshmëri të kursit të këmbimit dhe luhatje të flukseve ndërkombëtare të kapitalit.

Efektet e pastrimit të parave në shoqëri

Lufta kundër pastriit të parave dhe aktiviteteve të paligjshme që e gjenerojnë apo tentojnë ta legalizojnë paranë e pistë është e shtrenjtë. Shpezimet publike ndaj këtij fenomeni janë të larta dhe ato hiqen nga sektorë të tjerë si shëndetësia apo arsimi, nga ku humbet e gjithë shoqëria.

Kur paratë e pista pastrohen me sukses nga grupet kriminale, kjo do të thotë rritje e aktivitetit kriminal. Pra, më shumë drogë, më shumë dhunë e vrasje e më shumë terrorizëm. Kriminaliteti e rrit kështu aktivitetin dhe rekruton gjithnjë e më shumë njerëz.

Kur shumë të mëdha mund të bëhen përmes veprimtarive të paligjshme, bizneset e mëparshme të ligjshme, si dhe punonjësit qeveritarë mund të bëhen lehtësisht në bashkëpunëtorë të krimit.

Në vitet e fundit ka pasur një përpjekje të përbashkët globale për të luftuar pastrimin e parave me futjen e shumë ligjeve të reja dhe një mori rregullash që diktojnë mënyrën se si bankat dhe institucionet e tjera financiare duhet të mbrohen apo të raportojnë veprimtaritë e dyshimta.

Përse Shqipëria nuk ka bërë asnjë hap përpara

Në mënyrë paradoksale me përpjekjet globale, Shqipëria tentoi të miratonte edhe një kuadër ligjor të posaçëm për të legalizuar paratë e pista.

Kryeministri Rama propozoi dhe qeveria hartoi amnistinë e parë fiskale dhe penale. Kushdo që kishte para të padeklaruara mund t’i deklaronte ato duke paguar një tarifë prej 10 % dhe nuk do të ndiqej penalisht.

Por agjencitë Europiane që luftojnë pastrimin e parave e kundërshtuan me forcë këtë ligj. Ata reaguan edhe publikisht edhe përmes kanaleve zyrtare.

Për ekspertët, ky ishte një favorizim me ligj i grupeve krimianale. Edhe taksa e vendosur prej 10 % u konsiderua si një favor, për shkak se për paratë e pista grupet kriminalel paguajnë deri në gjysmat e shumave që pastrohen.

Duket se ky është edhe shkaku kryesor përse Shqipëria s’ka bërë asnjë hap përpara në luftën kundër pastrimit të parave.

Qeveria, përmes amnistisë fiskale dhe penale, prej të cilës u tërhoq nën presionin e ndërkombëtarëve, tregoi se është e vetëdijshme se ky është një fenomen real. Por energjitë ajo i çoi në përpjekjet për ta legalizuar këtë para dhe jo për ta luftuar atë. ©Zoom.al

Të ngjashme