Kryefjala Logo

Akademia e Sigurisë hap aplikimet për studentët që kanë përfunduar studimet master. Cilat janë kriteret?

28 Shtator, 2021 | 1:00 pm

Aplikimet fillojnë më datë 28.09.2021 dhe përfundojnë më datë 27.10.2021 për personat që kanë mbaruar ciklin e dytë të studimeve master në disa degë të caktuara dhe dëshirojnë të bëhen pjesë e administratës policore.

 

Aplikimet bëhen pranë Drejtorive Vendore të Policisë, ku aplikantët kanë vendbanimin e përhershëm.

 

Kuotat e pranimit në Akademinë e Sigurisë, të shtetasve që kanë përfunduar ciklin e parë dhe të dytë të studimeve të arsimit të lartë, në shkencat juridike, ekonomike ose kompjuterike, janë 50.

 

Kanë të drejtë të aplikojnë shtetasit që plotësojnë kriteret e përgjithshme e të veçanta, si vijon:

 

Kriteret e përgjithshme janë:

• të jetë shtetas shqiptar;

• të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të sigurisë kombëtare apo të jetë larguar nga shërbimi civil;

• të ketë zotësi të plotë për të vepruar;

• të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën;

• të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;

• të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B;

• të plotësojë kriteret për t’u pajisur me vërtetimin e besueshmërisë.

 

Kriteret e veçanta janë:

 

a. të ketë përfunduar studimet në ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë, në shkencat juridike, shkencat ekonomike ose shkencat kompjuterike;

b. të ketë mesataren mbi “8” të notave në ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë;

c. të jetë në moshë jo më shumë se 30 vjeç;

d. të jetë me gjatësi jo më pak se 170 cm për meshkujt dhe 160 cm për femrat;

e. të zotërojë gjuhën e huaj angleze në nivelin mbi 60 pikë, sipas standardit ALCPT;

 

Aplikantët duhet të paraqesin pranë strukturave të burimeve njerëzore në Drejtoritë Vendore të Policisë, dokumentacionin e mëposhtëm:

 

• Formularin e aplikimit, të cilin mund ta shkarkojnë online (https://ëëë.asp.gov.al/ëp-content/uploads/2021/09/Formulari-i-aplikimit-per-pranimin-ne-Akademine-e-Sigurise-converted-2.pdf), ose ta tërheqin për plotësim pranë burimeve njerëzore në DVP-të ku kanë banimin;

• Diplomën dhe listën e notave të noterizuar të ciklit të parë dhe të dytë të studimit. (Të dy nivelet e diplomave të jenë të të njëjtës fushë studimi, në programe studimi të akredituara). Aplikantët që kanë përfunduar arsimin e lartë jashtë vendit, duhet të paraqesin vërtetimin nga Ministria e Arsimit Sportit e Rinisë, për njëvlershmërinë e diplomave të marra jashtë vendit dhe llogaritjen e mesatares së ponderuar të ciklit të parë dhe të ciklit të dytë të studimeve;

• Fotokopje të kartës së identitetit;

• Fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”;

• Certifikatë e gjendjes gjyqësore (nxirret nga struktura policore ku kryhet aplikimi);

• Certifikatë familjare (nxirret nga struktura policore ku kryhet aplikim);

• Vërtetim nga gjykata dhe nga prokuroria;

• 2 fotografi me përmasa 4 cm x 6 cm.

 

Fazat e vlerësimit:

 

Aplikantët që plotësojnë kriteret dhe paraqesin dokumentacionin e kërkuar i nënshtrohen fazave të vlerësimit si më poshtë:

 

Vlerësimi sipas notës mesatare të ciklit të dytë të studimeve në të njëjtën fushë studimi, vlerësim me testim i zotërimit të gjuhës angleze sipas standardit ALCPT, intervistimi i aplikantëve, kontrolli shëndetësor, marrja e shenjave të gishtave dhe verifikimit përfundimtar i aplikantit.

 

Komisioni i Vlerësimit, në përfundim të vlerësimit dhe kontrollit, bën renditjen e kandidatëve fitues.

 

Aplikantët që nuk plotësojnë kriteret apo nuk kanë paraqitur dokumentacionin e kërkuar brenda afatit të aplikimit, njoftohen me shkrim nga strukturat vendore të burimeve njerëzore për arsyet e s’kualifikimit.

 

Aplikantët kanë të drejtën e ankimimit tek Drejtori i Policisë Vendore, brenda 2 ditëve nga data e njoftimit të përgjigjes për s’kualifikim. Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë shqyrton dhe kthen përgjigje brenda 2 ditëve pune nga data e marrjes së ankesës.

 

Aplikanti që përfundon me sukses trajnimin në Akademinë e Sigurisë nënshkruan kontratë pune me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe emërohet në strukturat vendore të Policisë, sipas nevojave të Policisë së Shtetit.

Të ngjashme