Kryefjala Logo

Arsi Bako triumfon në Festivalin e Pranverës me “Humb”, siguron biletën për Fest 65

8 Qershor, 2026 | 12:18 am

Këngëtarja Arsi Bako është shpallur fituese e këtij edicioni të Festivalit të Pranverës, duke triumfuar me këngën “Humb”. Pas një gare të fortë dhe një nate plot emocione, artistja arriti të rrëmbejë trofeun e madh në rikthimin historik të festivalit pas më shumë se dy dekadash.

Me formulën e votimit të kombinuar, 60% nga juria profesionale dhe 40% nga juria digjitale, Arsi Bako grumbulloi në total 260 pikë, duke siguruar njëkohësisht edhe pjesëmarrjen automatike në Festivali i Këngës në fund të vitit.

Në vendin e dytë u rendit Herva Novaku me këngën “Zemër në dy hap” dhe 242 pikë, ndërsa vendi i tretë shkoi për Jet me “Në derë do t’i qaj”, që mori 174 pikë.

Rikthimi i Festivalit të Pranverës e shndërroi Teatrin e Operas dhe Baletit në një skenë emocionesh, nostalgjie dhe muzike live, ku publiku përjetoi atmosferën e festivaleve të dikurshme të ndërthurur me energjinë e artistëve të rinj.

Në skenë u ngjitën emra të njohur të muzikës shqiptare si Aleksandër Gjoka, Frederik Ndoci, Irma Libohova, Rovena Dilo, Eneda Tarifa, Jonida Maliqi, Dashnor Diko, Adhurim Demiri dhe Renis Gjoka, të cilët interpretuan hitet e tyre më të njohura, të kënduara në kor edhe nga publiku në sallë.

Ky edicion u realizua nën regjinë e Ermal Beci, me skenografi nga Albi Çifligu dhe skenar të Genc Salihu.

Mbrëmjen finale e moderuan Bleona Qereti dhe Nik Xhelilaj, të cilët sollën energji dhe atmosferë festive në skenë. Një nga momentet më të veçanta të natës ishte edhe performanca e Bleonës, e cila u prit me shumë duartrokitje nga publiku i pranishëm.

Pas suksesit të këtij rikthimi, organizatorët kanë lënë të kuptohet se Festivali i Pranverës do të vijë sërish vitin e ardhshëm, duke synuar të rikthehet në një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore në vend.

Të ngjashme