Politike
Si e bindi Taulant Tushe Gjykatën e Posaçme që të zbusë masën e sigurisë? Nga arrest shtëpie në detyrim paraqitjeje për të akuzuarin për korrupsion në Bashkinë e Tiranës
27 Qershor, 2026 | 9:53 pm

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur këtë të premte të ndryshojë masën e sigurisë për ish-drejtorin e Bashkisë së Tiranës, Taulant Tushe, duke zëvendësuar masën “arrest në shtëpi” me “detyrim paraqitjeje”.
Presim të bëhen me dije në publik arsyet për këtë vendim lehtësues.
Tushe ndodhej në arrest shtëpie që prej janarit të këtij viti, pas një vendimi të mëparshëm të Gjykatës së Posaçme të Apelit. Me vendimin e fundit, gjykata ka lehtësuar masën e sigurisë ndaj tij, ndërsa procesi gjyqësor vijon.
Emri i Taulant Tushes është pjesë e dosjes së njohur si “5D”, ku ai akuzohet së bashku me ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës, Redi Molla dhe Mariglen Qato. Sipas SPAK, në cilësinë e drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Planifikimit të Punëve Publike dhe anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, ai dyshohet se ka favorizuar shoqërinë “5D Konstruksion” sh.p.k. në disa procedura tenderimi të Bashkisë së Tiranës.
Sipas hetimeve, kompanisë i janë krijuar avantazhe të padrejta ndaj operatorëve të tjerë ekonomikë, duke u shpallur fituese në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik.
Taulant Tushe u arrestua në mars të vitit 2024 me urdhër të SPAK. Përveç dosjes “5D”, ai po gjykohet edhe në çështjen e inceneratorit të Tiranës.


















































