Showbiz
Raimonda Bulku reagon pas gafës në finalen e “Ferma VIP”: “Nuk më shkonte mendja që një produksion do t’i merrte poezitë e Mozës nga interneti”
25 Qershor, 2026 | 7:14 am

Finalja e “Ferma VIP 3” u shoqërua me një moment të sikletshëm, pasi gjatë surprizës së përgatitur për fituesen Mimoza Ahmeti u recituan poezi që, sipas saj, nuk ishin të shkruara prej saj. Incidenti ngjalli reagime të shumta, ndërsa një prej aktoreve pjesëmarrëse në performancë, Raimonda Bulku, ka folur për herë të parë mbi atë që ndodhi.
Në një reagim, Bulku u shpreh se situata ishte krejtësisht e papritur dhe e pakëndshme për të gjithë aktorët që morën pjesë në surprizë.
“Nuk më shkonte mendja që një produksion si ‘Ferma VIP’ të merrte poezitë e Mozës nga interneti,” është shprehur aktorja, duke lënë të kuptohet se as ajo dhe as kolegët e saj nuk kishin dijeni për burimin e materialit që u ishte vënë në dispozicion.
Gjatë finales, Mimoza Ahmeti ndërhyri teksa po recitoheshin vargjet, duke sqaruar se poezia nuk ishte e saj. Më pas, aktorët sqaruan se tekstet u ishin dhënë nga produksioni dhe nuk ishin përzgjedhur prej tyre.
Ngjarja u komentua gjerësisht në rrjetet sociale dhe hapi debat mbi verifikimin e materialeve artistike në një produksion televiziv të këtij niveli.










































