Showbiz
Emocion, muzikë dhe surpriza! RTSH transmeton sonte finalen e Festivalit të Pranverës
7 Qershor, 2026 | 8:53 pm

Sonte zhvillohet finalja e shumëpritur e Festivalit të Pranverës në RTSH. Pas më shumë se 20 vitesh mungesë, festivali rikthehet me një mbrëmje që pritet të sjellë muzikë, emocione dhe shumë surpriza për publikun.
Në skenën e finales do të performojnë emra të njohur të muzikës shqiptare si Frederik Ndoci, Jonida Maliqi, Eneda Tarifa dhe shumë artistë të tjerë, duke e kthyer këtë natë në një spektakël të veçantë.
Fituesi i këtij edicioni do të përcaktohet nga një formulë votimi ku 60% e pikëve i takojnë Jurisë Profesionale dhe 40% Jurisë “Pranvera Digjitale”. Në përbërje të jurisë profesionale janë Markelian Kapidani në rolin e kryetarit, së bashku me Eriona Rushitin, Ledina Çelon, Kejsi Tolën dhe Kamela Islamajn. Ndërsa juria digjitale përbëhet nga Sara Berisha, Amos Zaharia, Krista Merkoçi, Arjon Muça dhe Rizarta Hoxha.
Fituesi i Festivalit të Pranverës do të sigurojë automatikisht pjesëmarrjen në Festivalin e Këngës në RTSH, që mbahet në fund të vitit.
Nata e parë solli emocione të forta artistike, duke nisur me interpretimin e veprës së famshme të Vivaldit “Pranvera” nga Orkestra Simfonike e RTSH-së. Po ashtu, publiku mirëpriti rikthimin e Ledina Çelos me këngën “San Valentino”, si dhe performancën emocionuese të Bashkim Alibalit me këngën ikonike “Në duart e nënës”.
Një nga momentet më prekëse të mbrëmjes ishte nderimi i artistit Luan Zhegu me çmimin e karrierës “Pranverë e Përhershme”, i dorëzuar nga maestro Zhani Ciko. Në vijim, Kamela Islamaj interpretoi një prej këngëve më të dashura të repertorit të tij.
Në përfundim të natës së parë, juria profesionale përzgjodhi 12 këngët finaliste që do të garojnë sonte për çmimin e madh.
Finalja transmetohet live në RTSH 1 HD, RTSH Muzikë, Radio Tirana dhe në kanalin zyrtar të RTSH-së në YouTube.












































