Lajme nga vendi
Zgjedhjet e 25 prillit/Publikohet ekstrakti i tretë i listave zgjedhore, ja si të verifikoni emrat
1 Dhjetor, 2020 | 5:30 pm

Ministria e Brendshme ka bërë publike ekstraktin e tretë të listave zgjedhore për zgjedhjet e 25 prillit 2021. Lista do firmoset nga kryebashkiakët, dhe më pas kanë detyrimin ligjor ti afishojnë në vendet publike. Prej datës 4 dhjetor, Drejtoria e Gjendjes Civile do të nisë verifikimet për publikimin e listës. Ministria e Brendshme publikoi të martën ekstraktin e tretë të listave zgjedhore për zgjedhjet e 25 prillit të vitit të ardhshëm. Sipas njoftimit, zyrat e gjendjes civile në bashki apo njësi administrative, kanë detyrimin ligjor për të printuar të dhënat e votuesve sipas vendbanimit dhe qendrave të votimit, nën juridiksionin e tyre territorial. Ashtu si dy ekstraktet e tjera, listat duhet të firmosen nga kryetarët e bashkive, dhe më pas të afishohet në ambientet me hyrje të lirë dhe të aksesueshme për publikun, ku çdokush mund të verifikojë emrin në listë. Duke nisur nga data 4 Dhjetor 2020, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile do të nisë verifikimet për publikimin e listës së tretë të zgjedhësve. Ndërkohë krahas listës së afishuar, qytetarët mund të verifikojnë online emrin në listën zgjedhore nëpërmjet portalit E-Albania. Ekstrakti i parë i përbërësve zgjedhor u publikua në 5 Tetor 2020, ndërsa ekstrakti i dytë në 2 nëntor 2020. Nga të dhënat paraprake të gjeneruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, rezulton se të drejtën e votës e kanë 3,6 milionë persona. Ndër ta, rreth 50.5% e zgjedhësve janë meshkuj dhe rreth 49.5% femra. Krahasuar me zgjedhjet e vitit 2019, vërehet se në zgjedhjet e 25 prillit janë rreth 72 mijë votues më shumë. Para publikimit të listave të zgjedhësve, shumë qytetar denoncuan në media transferimin e gjendjes civile larg vendbanimeve të tyre.
















































