Lajme nga vendi
Ndahet nga jeta “Mjeshtri i Madh” Shkodran, Kujtim Alija
27 Gusht, 2021 | 11:23 am

Ndërron jetë pas luftës me sëmundjen e rëndë dirigjenti shkodran Kujtim Alija, organizator i shumë festivaleve për fëmijë , drejtuesi i qëndrës kulturore për fëmijë në Shkodër.
Ai ishte një prej emrave me një kontribut të madh në muzikën shqiptare. Përfundoi Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, nën drejtimin e dirigjentit, Artistit të Popullit, Rifat Teqja, mbas shkollës së muzikës “Prenkë Jakova” të Shkodrës. Pas diplomimit ka filluar punën në qytetin e Shkodrës ku ka organizuar dhe drejtuar koncerte e veprimtari të ndryshme artistike si brenda, ashtu edhe jashtë Shqipërisë, me Filarmoninë e Shkodrës, Orkestrën frymore si dhe formacionin e harqeve. Festivali i parë shqiptar i këngës për fëmijë u zhvillua në Shkodër, më 10-11 maj 1963, një vit pas Festivalit të Këngës në Radio.
Kryetarja e Bashkisë Shkodër dedikon një status në Facebook për dirigjentin:
“Dita e sotme ka nisur me një lajm shumë të trishtë! Mjeshtri i Madh Kujtim Alija është ndarë nga jeta!
Një humbje e jashtëzakonshme për artin e kulturën shqiptare, për Shkodrën e Shqipërinë. Nuk gjej fjalë për të përshkruar këtë ikje shumë të parakohëshme të nêsuesit tim, të mësuesit të të gjithë fëmijëve, të mjeshtrit të madh Profesor Kujtim Alija.
Pushofsh në paqe Mjeshtër i Madh, ngushëllime familjes Alija për këtë humbje shumë të madhe!”

















































