Lajme nga vendi
Partia Demokratike: Lulëzim Basha i kërkon Mark Markut dorëheqjen nga mandati i deputetit e zëvendëson me ish deputeten e LSI.
27 Gusht, 2021 | 10:01 am

Një nga zërat më “luftarak” të kampit të djathë në zgjedhjet elektorale parlamentare të 25 prillit 2021 i është kërkuar nga lideri i Partisë Demokratike për të lënë mandatin e deputetit. Prof.Dr.Asoc Mark Marku nuk do të jetë pjesë e sesionit të ri parlamentar ku kishte fituar mandatin si deputet në qarkun e Lezhës ku njëkohësisht mban dhe postin e drejtuesit politik në këtë qark. Ai do të zëvendësohet nga Elda Hoti, ish deputete e LSI por që këtë herë do të jetë nën logon e PD.
Mark Marku në qershor ishte një nga figurat që mbrojti pozicionin e Lulëzim Bashës si lider i PD, në një moment kur shumë demokrat kërkuan dorëheqjen e kryetarit të tyre duke dërguar partinë në zgjedhje për kreun e ri. Megjithatë këto qëndrime u pasuan nga muaji korrik kur Marku propozonte në Kuvendin Kombëtar një rithemelim të partisë duke paralajmëruar se nëse kjo nuk do të ndodhtë, e njëjta humbje dhe viktimizim do të ndodhë përsëri pas 4 vitesh.
“Ne po e shëndërrojmë PD në një gjendje permanente opozitare duke legjitimuar të qenit në opozitë. Pa prespektive për të ardhur në pushtet, ndodhemi para rrezikut për ta shëndërruar PD-në në dekor të regjimit” – është shprehur Marku gjatë fjalimit në Kuvend në muajin korrik ndërsa në nuk munguan në atë ditë dhe akuza të drejpërdrejta kundrejt Bashës: “Basha është thjesht “kryetar i partisë së Berishës”, PD po shndërrohet në një parti që mbron interesat personale të dy liderëve të vet, Berishës dhe Bashës dhe të një grupi të ngushtë drejtuesish të PD-së duke tradhtuar interesat e atyre që e kanë mbështetur me aq mund, përkushtim e sakrifica…Fushata për zgjedhjen e Kryetarit ishte pa vizion, pa alternative pa perspektivë dhe rrugëdalje nga kriza dhe pa platformë ndryshimi për të sjellë demokratët në pushtet. Basha fitoi thjeshtë për rutinë dhe PD është parti ku secili avancon politikisht prej servilizmit ndaj kryetarit.”. Reagimet e kohëve të fundit mund të kenë nxitur Lulëzim Bashën të shkojë në Parlamentin e Shqipërisë pa Mark Markun në shtator.

















































