Kryefjala Logo

Skandal me tatimet: Profesionet e lira do paguajnë 30% të xhiros si tatim. Aq nuk paguajnë as kompanitë e mëdha

15 Prill, 2024 | 8:16 pm

Nga Klodian Tomorri

Mijëra profesionistë të lirë po përballen këto ditë me një masakër të vërtetë fiskale, teksa në adresat e tyre po mbërrijnë fatura tatimore të cilat shkojnë deri në 30 për qind të xhiros.
Administrata Tatimore ka nisur tek mijëra biznese të vogla të profesioneve të lira njoftim vlerësimet për parapagimin e tatim fitimit për vitin 2024 duke u bazuar tek xhiro që ata kanë realizuar për vitin e kaluar. Kapitali konsultoi njoftim vlerësimet e mbërritura në dhjetra profesionistë të lirë. Sipas njoftimeve rezulton që për pjesën dërrmuese të profesionistëve tatim fitimi shkon deri në 30 për qind e xhiros.

“Tani zgjidhja e vetme që më ka mbetur është të pezulloj aktivitetin sepse detyrimi që më ka ardhur është i papërballueshëm” tha për Kapitalin një profesionist i lirë.

Shkelje ligjore
Ligji për tatimin mbi të ardhurat thotë se bizneset e klasifikuara si profesione të lira paguajnë tatim fitim në masën 15 për qind, kur kanë xhiro vjetore më të vogël se 14 milionë lekë dhe 23 për qind për fashën mbi këtë xhiro. Por në të vërtëtë, sipas vlerësimeve që u kanë shkuar bizneseve, detyrimi i përllogaritur nga administrata shkon deri në 30 për qind të xhiros.

Përveç kësaj në tatimin që u ka llogaritur profesionistëve të lirë, administrata tatimore nuk njeh fare as lehtësimin ligjor, që u jep të drejtë profesionistëve të lirë të zbresin de ri në 30 për qind të xhiros si shpenzime të njohura. Përballë ankesave të shumta nga bizneset e profesioneve të lira për llogaritje arbitrare të tatimit, administrata tatimore justifikohet se vlerësimi gjenerohet automatikisht nga sistemi.

Por pavarësisht justifikimeve, fakti është ky. Tatimet po detyrojnë profesionistët e lirë që të paguajnë një shkallë tatimore mbi dy herë më të rëndë se sa korporatat e mëdha. Nëse për bizneset e mëdha që xhirojnë dhe fitojnë miliona euro në vit, tatim fitimi është 15 për qind, për profesionistët e lirë administrata tatimore po ngarkon tatim deri në 30 për qind të xhiros. Një sistem i mirëfilltë regresiv taksash, sipas parimit “kush fiton më pak, paguan më shumë.”

Kur erdhi në pushtet, Edi Rama propagandoi gjerësisht të ashtuquajturin taksim i ndershëm. Në çdo dalje publike, kryeministri deklaronte se qeveria e tij kishte çliruar më në fund sistemin tatimor nga padrejtësia duke vendosur parimin “kush fiton më shumë, paguan më shumë”. Por tashmë parimi i kryeministrit është kthyer me kokë poshhtë dhe administrata tatimore po takson bizneset e vogla të profesioneve të lira, dy herë më shumë se miqtë oligarkë të kryeministrit.

Të ngjashme